Në klubin e kulturës dhe artit “Sigal“ të Durrësit është promovuar libri i parë “Lule akulli” i poeteshës Pranvera Belba. Belba është larguar në emigracion rreth vitit 1994 në Itali dhe Gjermani, duke marrë me vete në kujtesë mbresat e rinisë së saj në brigjet e kaltra të Adriatikut dhe qytetit te lashtë të Durrësit.
Libri është një vëllim poetik, me poezi gjithsecila më mbresëlënese se tjetra, ku shquhen poezitë e dashurisë, të shkruara plot pasion dhe ndjenjë. Një endje poetike plot shije, por që ka thyer tabutë e atij brezi të mesëm tani të vajzave të dikurshme.
Në poezi, ajo ka qenë novatore. Dhe kërkuese mjetesh për të shprehur ndjenjat e brezit te saj, të cilat duke u nisur nga poezitë e sjella në këtë liber mund të cilësohen “ Brezi i Humbur” . Shumë poezi ne ketë liber janë të hershme, por ka edhe shumë të tjera bashkëkohore, krijime spontane.
Në takim kanë përshëndetur shumë krijues të qytetit të Durrësit. Kritika letrare i ka cilësuar poezitë e “Lule akulli” si tepër të ndjeshme dhe të ngrohta. Me një vargëzim të lirshëm dhe të natyrshëm.
K.H.