Java e librit në Universitetin "Aleksander Moisiu" është hapur me promovimin e librit me titull "Astronomia Detare" e autorit Prof. As. Dr. Osman Metalla.
Në këtë takim të organizuar nga Departamenti i Mekanikës së Transportit të Fakultetit të Studimeve Profesionale, pati pjesëmarrje të gjerë, pasi dhe problemet që prekte autori janë gjithëpërfshirëse për shkollën e detarisë dhe për qytetin bregdetar të Durrësit, banorët e të cilit kanë shfaqur gjithnjë interes te madh për detin, anijet dhe peshkimin, fusha këto me të cilat ka qenë e lidhur ngushtë jeta e tyre.
Rreth vlerave të librit, autori u shpreh se ai erdhi si domosdoshmëri për rritjen cilësore të nivelit të shkollës së detarisë shqiptare.
Për të realizuar këtë libër me kërkesat bashkëkohore të detarisë, autorit i është dashur rreth 2 vite kohë. Metalla thotë se, me botimin e tij, ai ka dashur të mbulojë një boshllëk për shkollën e lundrimit dhe navigacionit.
Metalla tha se ky libër do të plotësohet në të ardhmen me përditësimet e kërkuara nga kërkesat dinamike, të dala nga shkolla e detarisë.
K.H.