Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Italia, Rusia, Turqia dhe Malta zenë vendet e para për shkëmbimet tregtare me portin e Durrësit. Porti më i madh i vendit në 3-mujorin e parë të vitit 2017 ka shkëmbyer 20 përqind të volumeve të përpunuara gjithsej në kalatat e tij me portet e Italisë, ndërsa përkatësisht 19, 14 dhe 12 përqind janë shkëmbyer me portet e Rusisë, Turqisë dhe Maltës.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave mësohet se me portet e Italisë janë shkëmbyer 59 mijë ton mallra gjithsej, 36 mijë ton nga të cilat janë çimento e prodhuar në fabrikat shqiptare dhe që janë dërguar si mall eksporti drejt portit të Margheras. Ndërkaq porti i Durrësit ka patur shkëmbime import-eksporti edhe me portet e Ortonës, Brindizit, Olbias, Barit, Chioggias dhe Ravennës.

Nga porti i Durrësit drejt Italisë janë nisur 42 mijë ton mallra eksporti, ndërsa drejt Maltës 34 mijë ton.

Nga Statistikat mësohet se nga portet e Rusisë kanë mbërritur 56 mijë ton mallra importi, ndërsa Turqia zë vendin e dytë për importet drejt Durrësit me 40 mijë ton.

Shkëmbimet nga porti i Durrësit me porte të vendeve të tjera u përkasin sipas volumeve Egjiptit, Spanjës, Libisë, Gjermanisë, Tunizisë, Greqisë, Kroacisë, Belgjikës, Francës, etj.