Sot paradite në portin e Durrësit ka mbërritur  anija turistike “La Belle de L’Adriatique”, e cila hap sezonin e kroçerave në qytetin bregdetar.

Kroçera me flamur belg ka në bord 147 turistë, që të gjithë nga Belgjika.

Anija turistike mbërriti në orën 7.15 të ditës së hënë dhe u ankorua në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. Një pjesë e turistëve u nisën me katër autobuzë drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa pjesa tjetër qëndruan në Durrës për të vizituar qendrat historike dhe monumentet arkeologjike të qytetit antik.

Kroçera lundroi natën e kaluar nga Vlora drejt Durrësit, ndërsa në mbrëmje, rreth orës 20.00 do të vijojë udhëtimin për në portin e Tivarit në Mali të Zi.

Kjo është kroçera e parë e vitit, ndërsa mësohet se anijet e fundit priten të jenë “Serenissima” dhe “Ocean Majesty”, që do të mbërrijnë në të njejtën ditë, më 13 tetor të vitit të ardhshëm.

Gjatë vitit 2016 në portin e Durrësit janë ankoruar 24 kroçera dhe anije veliere, me një numër të përgjithshëm prej 14.084 turistë. 

Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.