Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 125 anije dhe 223 tragete me mallra, duke shënuar një rritje prej 11 përqind krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2016.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave, gjatë këtij 3-mujori nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 787 mijë ton mallra të ndryshme, ose mbi 78 mijë ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
85 përqind e mallrave të përpunuara janë transportuar me anije, ndërsa pjesa tjetër nga kamionët dhe trajlerët që shfrytëzojnë tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës – Trieste e kthim.
Mallrat e eksportit në portin e Durrësit kanë patur një rritje prej 48 përqind gjatë periudhës 3-mujore, me një shifër prej 298 mijë ton mallra për eksport. Ndërkohë importet me 490 mijë ton mallra kanë shënuar një rënie prej 3 përqind, krahasuar me periudhën 3-mujore 2016.