Përbërja e Komisioneve të Vettingut pritet të ngjallë një konflikt të ri brenda mazhorancës.
Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja janë dy propozimet zyrtare të Partisë Socialiste për komisionet e Vettingut, ndërkohë Luan Rama është emri që do të përfaqësojë Lëvizjen Socialiste për Integrim në këtë strukturë.
Përzgjedhja e dy emrave nga socialistët përjashton Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, e cila kishte propozuar më herët Shpëtim Idrizin si anëtar të këtij komisioni “Ad Hock”.
Burime nga selia roze bëjnë me dije se Partia Socialiste në këtë strukture ligjërisht nuk ka vend për Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.
“News24” raporton se PDIU e Shpëtim Idrizit e sheh si të njëanshëm veprimin e Partisë Socialiste dhe se një përzgjedhje e tillë nuk do pranohet nga ajo.
Komisionet e Vettingut përbëhen nga 6 anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Opozita ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së martës, ku parashikohet miratimi i projektvendimit për krijimin dhe përbërjen e komisionit “ad hoc” për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit.





