Nga qyteti i Durrësit, ku zhvilloi një takim me elektoratin, kreu i Libra, Ben Blushi, artikuloi akuza të forta në drejtim të kryebashkiakut Vangjush Dako.

“Njerëz si Vangjush Dako, Libra nuk do t’i ketë kurrë. Dako po shkatërron Durrësin me beton. Nuk mund të jesh edhe me drejtësinë edhe kundër drejtësisë. Vangjush Dako është palë me bandat. Kryetari i bashkisë së Durrësit harxhon miliona euro për fushatë”tha Blushi.

Duke u ndalur në arsyet se pse njerëzit duhet të votojnë për Libra, Blushi tha: “Libra lindi për të marrë përgjegjësi. Bashkohemi për të rrëzuar këtë klasë politike. Ftesa që Libra i bën Shqipërisë: votoni një alternativë që nuk e vjedh këtë vend. Klasa politike i ka sekuestruar shqiptarëve çdo gjë, sot edhe lirinë për të zgjedhur. Dy forcat e vjetra rrezikojnë të na lënë pa zgjedhje. Nuk e ka fajin populli. E ka fajin PD dhe PS, që vetëm ndërrojnë karriget”.

Ndërsa vendi ndodhet në prag të krizës politike, Blushi deklaroi se Libra do të marrë pjesë në zgjedhje.

“Politikanët marrin pjesë në ndeshje futbolli dhe nuk ulen në tavolinë për të zgjidhur krizën. Kërkojmë të ketë zgjedhje. Të ketë dialog.Të ketë ndryshim në mënyrën si numërohen votat. Kërkojmë mos të ketë deputetë banditë. Presidenti nuk thërret asnjë tryezë. Në fund të kësaj jave mund të kemi gjysëm qeverie. Në fund të kësaj jave mund t’i skadojë afati presidentit.

Ata po mbrojnë të shkuarën, jo të ardhmen. Kam dyshime se do fillojë një pazar për të ndarë pushtetin në tavolinë. Ne do të hyjmë në zgjedhje. Libra nuk do të ketë kurrë kusht për Reformën në Drejtësi. Libra nuk ka frikë nga zgjedhjet” tha kreu i Libra.