Koalicioni opozitar ka rikonfirmuar sot qëndrimin për të mos u regjistruar në zgjedhje. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se pas mbledhjes së këtij koalicioni, është konfirmuar mosregjistrimi në KQZ deri në arritjen e një pakti për qeveri teknike që do të sigurojnë zgjedhje të lira.

Në njoftim thuhet gjithashtu se më 7 maj, në qytetin e Kavajës do të zhvillohet një protestë e madhe kombëtare.

“Koalicioni opozitar i mbledhur sot, konfirmon qëndrimin për mosregjistrim në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike, që do sigurojë zgjedhje të lira dhe koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 7 maj në Kavajë“, theksohet në njoftim.

Sot është dita e fundit e afatit për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 18 Qershorit.