Në Galerine e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit është çelur ekspozita personale e piktorit Ergys Dema, e titulluar “Pafundësi Ngjyrash”. Piktori, hapat e para në pikturë i ka hedhur në shkollën e mesme artistike të qytetit tonë të njohur në atë periudhë me emrin “Mujo Ulqinaku”, sot “Jan Kukuzeli”. Dhe më pas ka vijuar falë talentit dhe përkushtimit të tij të rritet në nivelet artistike të përfaqësimit. Dema, ekspozitën e tij të parë e ka çelur në Tiranë në vitin 2009 ndërsa ka marrë pjesë në shumë bienale të akuarelit si në Hong – Kong, Hungari, Bullgari dhe Itali. Ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspozita të pranverës që janë organizuar në vendin tonë me bienalet e akuarelit në Tiranë.
Në ekspoziten e tij personale “Pafundësi Ngjyrash”, Dema ka sjellë piktura në akuarel si dhe në bojë vaji, kanavacë. Janë rreth 91 copë nga të cilat 15 janë në bojë vaji. Disa prej këtyre pikturave janë frymëzime të drejtpërdrejta artistike të piktorit nga plazhi i Durrësit. Po ashtu ai ka sjellë natyrën nën konceptimin e tij, me plot larmi ngjyrash duke u nisur që nga pasqyrimi i gjërave të thjeshta, që nën efektin e penelit të tij marrin përmasa të një bukurie estetike të rrallë.
Piktori Dema kryesisht preferon peizazhet e natyrës shqiptare, si bregdetin, kodrat, ngjyrat e detit, efektet e dritës. Në telajot e tij duken gjurmët e preferencave që ka në artin impresionist e post impresionist si dhe në stilin realist e klasik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mesin e muajit prill.
K.H.