Sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë i suksesshëm. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri është optimist për një sezon krejt ndryshe nga viti i kaluar, kur pandemia Covid-19 goditi jo pak operatorët turistikë.

Strukturat hoteliere janë në përgatitjet e fundit për pritjen e turistëve, ndërkohë që kanë nisur edhe prenotimet e para, që janë kryesisht për muajin korrik.  

Isteri vlerëson si një faktor mjaft pozitiv për mbarëvajtjen e sezonit veror vaksinimin masiv të popullsisë, por edhe të stafeve të operatorëve turistikë, një garanci e shtuar kjo për turistët që pritet të vizitojnë këtë verë bregdetin shqiptar, por jo vetëm.

“Vaksinimi i stafeve dhe vaksinimi masiv i popullsisë që ka ecur me ritme shumë të kënaqshme i jep turistëve që vijnë më shumë garanci dhe e bën Shqipërinë një trend për këtë verë dhe një destinacion të preferuar për turistët e huaj”,- thotë Isteri për “DurrësLajm”.

Shifrat e rasteve të reja dhe humbjeve të jetës nga Covid-19 në vendin tonë gjatë javëve të fundit kanë regjistruar një trend rënës që jep shpresë për një verë pa kufizime dhe pa frikën e pandemisë. Isteri shpreh bindjen se këtë vit, turizmi do të jetë “lokomotiva” që do të tërheqë ekonominë e qarkut Durrës drejt ringritjes, pas dy goditjeve të forta si tërmeti dhe Covid-19.

“Këto të ardhura, ajo valutë që vjen nga turistët janë para që do të injektohen në ekonominë lokale, por edhe ekonominë e vendit, prandaj është jetik suksesi i sezonit turistik këtë vit”,- deklaron kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës.

Megjithëse gjasat janë që Shqipëria ta ketë arritur imunitetin e tufës, vendet fqinje si Italia, Greqia etj janë ende nën “kthetrat” e saj. Kufizimet e forta që kanë pasur vendet evropiane kanë dhënë ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare, që varet mjaft nga eksport-importet me vendet e BE-së.

Ekonomia muajt e fundit ka nisur të japë disa shenja të vogla rimëkëmbjeje, por sektorë të caktuar vazhdojnë të vuajnë pasojat e një viti e gjysëm pandemi.

“Bizneset e vogla në përgjithësi kanë një ulje drastike të xhiros, kanë një rënie të fuqisë blerëse. Fasonët nga ana tjetër kanë vështirësi të jashtëzakonshme dhe mezi po mbijetojnë. Do të duhet shumë kohë që kjo situatë të përmirësohet”,– thotë Isteri.

M.B.