Biblioteka Publike Durrës në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, organizoi përurimin e vëllimit me poezi "Rock Nate" të autorit Vaso Papaj. Ky vëllim është i pesti dhe e sjell për lexuesin shtēpia botuese “Uegen”. Në parathënien e saj për këtë vëllim, pedagogia e UAMD- së, Anila Plaku (Bratja) e quan poetin pelegrin të lirisë dhe dashurisë. Lirinë të cilën e ka dashur si një gonxhe dhe atje ku liria gërshetohet me dashurinë, gonxhja zbukurohet, kundërmon me aromën e saj.

Alisa Velaj pedagoge e UAMD-së, Shkëlqim Psatha, mësues letërsie, poeti Hasan Shahini dhe ish-mësuesi i letërsisë, Besim Dema, referuan për vëllimin poetik "Rock Nate". Poeti Agim Bajrami dhe Josif Doja, Naim Kërçuku, poetja Merita Thartori përshëndetën me recitimin e poezive të vëllimit.

Nuk munguan në këtë mbrëmje edhe poezitë e nxënësve të shkollave "Vinçenc Prendushi" dhe " Ibrahim Kodra". Pyetjes së moderatores Teuta Dhima përsa i përket projekteve të tij, poeti Vaso Papaj iu përgjigj: – "Rock Nate" me sa duket është vëllimi i fundit poetik që shkruaj. Tashmë ndihem i përkulur përpara jush, lexues, po besomëni: nuk do të resht së shkruari. Poeti Vaso Papaj lexoi gjithashtu edhe disa vargje të cilat hapin romanin të cilin ai po shkruan. Duke i uruar penë të begatë poetit Vaso Papaj, po sjellim disa vargje tē cilat mbyllin poezinë SUNSET: "E lodhur hëna nis e varet… I ngjajmë asaj, tërhiqemi mezi, gjer në shtēpi. Mbylle portën zemër, mbylli dhe dritaret, Të mos na iki dashuria, e fundit poezi.

K.H.