Ekspozita “Inxh-picto” e piktores Inxhiriana Roli mblodhi sot paradite në mjediset e pallatit të kulturës “Kavalion” të Kavajës artistë vendas dhe nga Durrësi e Tirana, si dhe mjaft bashkëqytetarë e artdashës. Veprimtaria u organizua nga klubi kulturor-artistik “Harmonium” dhe bashkia e Kavajës.

Të pranishmit i përshëndeti kuratori i ekspozitës Janaq Sotja, sipas të cilit 39 punimet e përzgjedhura i përkasin krijimtarisë së piktores Inxhiriana Roli gjatë 10-vjeçarit të fundit. Ekspozita hapet me një autoportret të piktores nga Kavaja dhe me një cikël kushtuar aktorit me famë evropiane Aleksandër Moisiu.

Të pranishmit vlerësuan edhe ciklin me grafika kushtuar femrës në përgjithësi. Ata u ndalën gjatë edhe në grupin e tablove me përmasa mesatare, ku dallojnë vepra si “Shi në mars” apo “Në ishullin e Shën Mishelit”.

Inxhiriana Roli është mjaft e njohur për ilustrimin e një sërë librash për fëmijë dhe të rritur të autorëve të ndryshëm. Në muajit nëntor ajo ka programuar hapjen e një ekspozite tjetër me punime të kësaj gjinie.