Një nëndetëse ushtarake turke e klasit 209, “Yerboj”, prodhim modern ushtarak turk i vitit 2008, e komanduar nga Kapiteni i Rangut të dytë Ersoj Akca, ka hyrë mëngjesin e të premtes në portin e Durrësit, dhe është bregëzuar në kalatën nr. 5 të këtij porti.
Nëndetësja është pritur në det të hapur dhe është shoqëruar për në port nga motovedetat 01 dhe 118 të Flotës Shqiptare të Kepit të Palit. Vizita e saj 4-ditore në vendin tonë bëhet në kuadrin e forcimit të marrëdhënieve mes flotave ushtarake detare të dy vendeve tona dhe operacioneve të NATO-s. Nëndetesja është e gjatë rreth 62 m dhe ka një tonazh të përgjithshëm 1456 tonë. Është e pajisur me 8 silurë të dukshëm, si dhe të tjera pajisje ushtarake, numri i të cilave nuk publikohet për arsye ushtarake.
Ajo është e angazhuar në mbrojtje të sigurisë kombëtare turke dhe në kuadrin e veprimtarisë së forcave të NATO-s në mbështetje të paqes dhe sigurisë Botërore. Nëndetësja, prodhim turk i vitit 2008, ka një ekuipazh prej 45 ushtarakësh të rangjeve të ndryshme. Pas hyrjes në port, Komanda e nëndetëses dhe oficerë të ekuipazhit janë pritur në takime të veçanta nga Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe më pas nga Prefekti i Qarkut të Durrësit Roland Xhelili.
Gjatë vizitës 4-ditore ekuipazhi do të zhvillojë vizita në qendrat historike të Durrësit, Shkodrës, Krujës si dhe kanë në program organizimin e një ndeshjeje futbolli me skuadrën e Fllotës Shqiptare. Nëndetësja ka ardhur në Durrës nga një stërvitje e përbashkët e forcave detare të NATO-s të zhvilluara në rajonin e bregdetit italian. Vizita e saj u menaxhua nga agjencia “Dyrrahsped”, një prej agjencive më serioze që operojnë në portin e Durrësit.
K.H.