Ester Lato, nxënëse e kolegjit “Turgut Ozal” Durrës, sapo ka rrëmbyer kupën në finalen e edicionit të VII të festivalit “Instrumentisti i vogël”, që u zhvillua paraditen e sotme në odeonin “Nikolin Xhoja”. Përkushtimi 5-vjeçar ndaj violinës u shpërblye në formën më të mirë të mundshme, pasi juria e vlerësoi me çmimin e parë. 

Për “DurrësLajm” ajo tregon se nuk ishte e emocionuar në momentin e ndarjes së çmimeve, pasi deri diku e priste, nisur nga performanca e saj. Para jurisë ajo interpretoi “Song from a secret garden”, një pjesë instrumentale që ajo e veçon nga të tjerat dhe e ka shumë përzemër. Çmimi i sotëm është një motivim më shumë për të për të vazhduar pasionin e saj, violinën.

Më shumë se 30 nxënës të shkollave 9-vjeçare publike dhe jo publike të Durrësit interpretuan ditën e sotme para jurisë profesioniste në 4 vegla muzikore; fyell, piano, violinë dhe kitarë.

Interpretimi virtuoz i shumë prej tyre surprizoi jo pak jurinë, që e pati paksa të vështirë për të përcaktuar më të mirët e këtij kompeticioni.

Për Noelin 11-vjeçar rruga drejt artit sapo ka nisur. Nxënësi i klasës së katërt, tek “Vinçens Prendushi” ka vetëm pak muaj që po ushtrohet  me veglën muzikore, por ka bërë përparime të mëdha.

Shkak për t’iu përkushtuar kitarës është bërë babai i tij, që ia dhuroi 4 vite më parë. Fillimisht Noeli nisi t’i binte vetë dhe kur pa se nuk po e ndante dot më veglën muzikore nga duart filloi të marrë leksione nga një mësues profesionist. Edhe për të, ky konkurs është vetëm hapi i parë, që pritet të pasohet nga të tjerë në botën e artit.

Pianistja e vogël Aurora Kovaçi konkuron për herë të dytë në këtë event. Pandemia duket se nuk e ka penguar vogëlushen që të ushtrohet në piano, madje mund të thuhet se e ka ndihmuar, sepse prania e pianos në shtëpi ia ka bërë më të lehtë Kovaçit praktikimin e përditshëm.  

Eventi muzikor u zhvillua duke respektuar rregulloren anticovid dhe për këtë arsye ai u nda në dy sesione për të evituar grumbullimet. Në fund, gjatë ndarjes së çmimeve, shumë iu gëzuan suksesit të arritur. Megjithëse në periudhë pandemie, Qendra Kulturore e Fëmijëve ka vijuar pa ndalur kalendarin e aktiviteteve kulturore e sportive duke u dhënë mundësi nxënësve të shkollave 9-vjeçare të japin më të mirën e tyre në disiplina të ndryshme.

M.B.