Piktorit durrsak Ardian Tragaj i është dhënë këtë fundjavë Medalja e Artë e Akademisë Europiane të Arteve. Në ceremoninë e organizuar kanë marrë pjesë Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, si dhe ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Në fjalën e përshëndetjes, shkrimtari Agim Bajrami ka sjellë në vëmendje të të pranishmëve vlerat artistike të artit të ngjyrave të Tragajt duke thënë se Tragaj megjithëse vjen nga një tokë ngatërresash shekullore ballkanike, nga një atdhe ku qenësia dhe individualiteti janë ende në raporte dyshuese, por që fatmirësisht Tragaj me talentin e veçantë që zotëron, ka arritur që të krijojë më së miri portrete absurditeti dhe karaktere të padefinueshme për një sy të zakonëshëm.

Kjo sepse të vërtetat jetësore në pikturat e tij janë në fakt krijesa të lindura nga mostruoziteti i gjykimit dhe veprimit të një shoqërie në kaos dhe jo asaj që duhej të ishte në të vërtetë. Pikturat e tij, theksoi Bajrami, janë një klithmë kundërshtimi ndaj ekspansionit të së keqes dhe emërimit të saj si zonjë shtëpie.

Në ceremoni ka folur edhe Jetullah Haliti, nënkryetar i Akademisë Europiane të Artit, i cili ka vlerësuar artin e Tragajt, i veçantë dhe i papërsëritshëm, shenjë e një talenti të rrallë me vlera kombëtare e ndërkombëtare. Tragaj e ka hapur këtë ekspozitë personale me veprat më të mira të tijat ndër vite, pas ekspozitës personale që hapi në galerinë “Agora” në Manhatan.

K.H.