*Nga 1 janari ngarkohen 10 anije me afro 54 mijë tonë çimento për eksport 

Që nga 1 janari i këtij viti, në portin e Durrësit janë përpunuar afro 54 mijë tonë çimento për eksport, teksa gjatë vitit të kaluar janë ngarkuar gjithsej 89 mijë tonë çimento për eksport.

Sipas Qendrës së Informacionit në APD, në Terminalin lindor në më shumë se dy muaj, 10 anije tregtare janë ngarkuar me çimento rinfuzo, prodhim “Made in Albania”. Çimentoja është prodhuar në fabrikat e specializuara pranë Fushë-Krujës dhe anijet e ngarkuara i janë drejtuar kryesisht porteve të Afrikës veriore.

Katër anije kanë kryer 10 lundrime vajtje-ardhje gjithsej, duke u ngarkuar me sasi nga 2.650 tonë deri në 12.500 tonë secila. Anija “Sirios cement” është ngarkuar dy herë me nga 12.500 tonë, dhe një herë tjetër me 7.500 tonë. Ndërsa anija “Edro IV”, në katër lundrimet e saj drejt Durrësit ka marrë sasinë standarde prej 2650 tonë.

Në portin e Durrësit janë ngarkuar me çimento edhe anijet “Seaven Luck” dhe “Vela I”.