Me rastin e 7 dhe 8 Marsit në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në Durrës është hapur një ekspozitë retrospektivë, e cila sjell në vëmendje të publikut gruan e para viteve ’90.
“Janë rreth 30 punime ne pikturë të mjeshtrave të shquar durrsakë ndër vite, pjesë e fondit të Galerisë së Arteve të Durrësit, që vijnë për publikun” tha në një intervistë për DurrësLajm drejtoresha Alketa Traga.
Në këtë ekspozitë janë pasqyruar 3 rryma të pikturave artistike që kultivoheshin në vitet 60-70 e 80. Dihet se në këtë periudhë ishin përgatitur tre breza pedagogësh. që trajnonin artistë të rinj.
Grupi i parë vinte nga akademitë e perëndimit, i dyti nga shkollat e vendeve të Lindjes dhe të tretët ishin përgatitur në Akademinë e Tiranës. Kjo periudhë, me ndryshimet e mëdha stilistike, duket qartë edhe në tablotë e ekspozuara.
Të 27 tablotë janë kryesisht në tekniken e vajit në kanavacë. Në to shquhen 3 vepra të piktorit te mirënjohur durrsak Zef Ujkaj, duke vijuar me piktura të Petraq Mimes, Agim Shamit, Musa Qarrit, Kujtim Buzës, Agim Fajës, Gavril Priftulit, Nikolet Vasisë e Shpresa Beqirit.
Megjithese janë piktura të realizmit socialist, arti i piktorëve të talentuar durrsakë ka sjellë në mënyrë shumë konkrete gruan e atyre viteve.
K.H.