Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.
"Gruaja e këpucarit"- Adriana Trigiani
Bukuria ndjellëse dhe madhështore e Alpeve italiane është sfondi i takimit të parë të Enzës, një vajzë e bukur me këmbë në tokë, dhe Çiros, një djalosh i shkathët që jeton në një manastir murgeshash. "Gruaja e këpucarit" është një histori plot mbresa guximi, vendosmërie dhe mbijetese.
“Raporti midis sistemit gjyqësor dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve (ZAM)”-Shezeina Rama
Libri tregon diferencat mes zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në gjykatë, arbitrazh dhe ndërmjetësim. Autorja shpjegon përparësitë dhe të metat e secilit sistem, ndërkohë që ilustron me sondazhe të bëra në terren sesa njihen zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve në Shqipëri.
"Pacienti Anglez"- Michael Ondaatje
Me një bukuri të parrëfyer dhe inteligjencë, romani i Michael Ondaatje, fitues i çmimit prestigjioz Booker’s Prize, ndërthur katër jetë të gjymtuara, në një vilë të braktisur italiane, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Infermierja Hana, e rraskapitur nga vdekja, kujdeset me ngulm për pacientin e saj të fundit, që ka mundur të mbijetojë. Hajduti Karavaxhio, rreket të rigjejë vetveten tani që duart ia kanë cunguar si mos më keq. Xhenieri indian, Kipi është në kërkim të minave të fshehura në peisazhin piktoresk, ku gjithçka përveç vetes, përbën një kërcënim. Dhe në qendër të këtij labirinti qëndron pacienti anglez, i paemër dhe i djegur deri në palcë, një burrë që për ata që e rrethojnë përbën njëkohësisht një gjëegjëzë e provokim, kujtimet e të cilit për vuajtjet, shpëtimin dhe tradhtinë e ndriçojnë këtë libër si flakërimat e gjuhëve të flakës.
R.O.