Aktorja e njohur Aishe Stari ka festuar 81-vjetorin e saj të lindjes, ose siç shprehet me shaka dhe vetë ajo “18-vjetorin pasi aq vjeçe ndjehem”. Stari, një nga aktoret më të dashura për publikun, është dalluar gjithnjë për energjinë e pashtershme dhe dëshirën e madhe për të qenë aktive,

Mjeshtrja e Madhe, ylli i trupës së Estradës Profesioniste të Durrësit, por edhe në mbarë vendin, ka festuar mes miqve artistë ditëlindjen, pasi një vit më parë, në përvjetorin e saj të 80-të ishte e pamundur për shkak të pandemisë Covid-19.

Ditëlindja e këtij viti u festua në një mënyrë mjaft të veçantë nga familjarët, miqtë dhe aktorët e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Kolegët dhe bashkëpunëtorët e rrugëtimit të gjatë të saj, me një karrierë që shtrihet në 60 vite, u mblodhën për të nderuar kontributin e Aishe Starit dhe surpriza ishte një libër – album kushtuar veprimtarisë artistike të saj.

Vetë Stari u shpreh se ditëlindja e saj iu duk sikur ishte ditëlindja e të gjithëve, pasi ndjeu shumë dashuri në sallën e teatrit.

“Ishte një festë e përbashkët. Nuk ishte vetëm ditëlindja ime, por edhe e atyre që asistonin. Se ashtu mu duk mua se ata e shijuan këtë mbrëmje.  Kur bëhen ditëlindjet mes shokëve dhe miqve shkon shumë bukur, sepse vërtet u jep dashuri, por edhe merr dashuri. Dashuria është gjëja më e bukur në jetë dhe të gjithë njerëzit nuk duhet të përtojnë të japin dashuri, sepse do ta kalojnë më bukur”.

Pavarësisht moshës së thyer, Stari duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga puna.

“Sa të kalojë njëçikë pandemia, unë do të jem aty, nëpër shkolla nëpër kopshte, sepse nuk mund të rri pa punë.”,- tha ajo.

Artistë të njohur si Mirush Kabashi, Xhelal Tafaj, Driada Dervishi, Sanie Hoti etj., nëpërmjet dedikimeve të tyre dhe notave të humorit i uruan ditëlindjen aktores së njohur durrsake. Regjisorja Driada Dervishi e konsideroi këtë event kulturor një moment gëzimi për të gjithë artistët, të cilët prej mëse një viti ndiejnë kufizimet e pandemisë të ndikojë drejtpërsëdrejti në punën e tyre.

“Është një kënaqësi shumë e madhe që sot festojmë ditëlindjen e një prej aktoreve themeluese jo vetëm të varietesë së teatrit, por edhe vetë teatrit “Aleksandër Moisiu”. Është shumë bukur që evente të tilla bëjnë bashkë njerëz që i kanë dhënë shumë artit dhe kulturës. Nga ana tjetër gjej rasti të falenderoj të gjithë ata që ndihmuan për botimin e këtij libri që duhet thënë që është një libër që përmban jo vetëm historikun e kësaj aktoreje të madhe, por gjithashtu një pjesë të mirë të historikut të estradës së teatrit “Aleksandër Moisiu. Është një moment gëzimi, sepse është dhe rikthimi pas një viti e gjysëm. Ne kishim menduar se do të ishte në 80-vjetor e megjithatë them se jemi me fat që po festojmë këtë ditëlindje, sepse një pjesë e mirë, që na munguan edhe sot, nuk janë më mes nesh”,- tha ajo.

Mbrëmja festive u mbyll me të gjithë aktorët që kanë shkruar historinë e teatrit të Durrësit, të cilët kënduan së bashku me Aishe Starin.

M.B.