Një javë nga vizita e kryeministrit Rama në Kosovë, dogana e Durrësit e jo vetëm, ka përshpejtuar procedurat për hapjen e zyrës doganore në portin e Durrësit e cila do t’i shërbeje si pikë daljeje në Adriatik biznesit kosovar. Burimet zyrtare nga dogana e qytetit bregdetar, kanë bërë me dije se një grup pune i përbashkët është ngritur, dhe fillimisht është diskutuar hapja e kësaj zyre në terminalin e trageteve aty ku kryhen procedurat doganore të subjekteve të tjera që hyjnë e dalin nga porti.
“Bazuar në Marrëveshjen midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin dhe ndihmën reciproke në çështjet doganore, e ratifikuar më 12 nëntor 2009 dhe marëveshjes së bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën doganore midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Shqiptare dhe Doganës së Republikës së Kosovës ne vitin 2015, me qëllim lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë midis Shqipërisë dhe Kosovës duke shfrytëzuar resurset e dy administratave në Portin Detar të Durrësit nga bizneset e Kosovës, është vendosur që të bëhet vlerësimi i mundësive dhe efektivitetit të hapjes së Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës Doganore Durrës.
Për këtë është ngritur një grup pune i përbashkët me palën kosovare me qëllim analizimin dhe identifikimin e të gjitha avantazheve dhe dizavantazheve të hapjes së kësaj zyre në Portin e Durrësit, duke përgatitur një raport vlerësues brenda datës 20 shkurt 2017. Ky raport ka në konsideratë risqet e mundshme, trajtimin e rasteve të shkeljeve të ligjit, sekuestrimeve, kostove respektive (personel, logjistikë), bllokimin e mallrave të rrezikshme si dhe kryerjen e procedurës së tranzitit për mallrat joshqiptare që hyjnë në Republikën e Shqipërisë. Pas këtyre hapave do të shkohet drejt miratimit përfundimtar të marrëveshjes”, bënë me dije burimet zyrtare.
Marrëveshja e hapjes së doganës së Kosovës në portin e Durrësit, pritet t’i paraprijë një vendimi nga ana e Këshillit të Ministrave të dy qeverive.
Nga shkëmbim i eksperiencave midis specialistëve të doganës së Durrësit dhe asaj të Kosovës, vërehet se pala kosovare aplikon sistemin anglez të doganës, çka do të thotë se është një ndër sistemet më të përparuar në Botë. Biznesi kosovar nuk funksionon me shkresa me deklarata doganore që merren dorazi, vulosen në sportele dhe me procedura të kësaj natyre siç operon pala shqipatre. Biznesi kosovar paraqitet në doganë dhe çdo dokument e ka të skanuar në sistem, çka do të thotë se operohet vetm nëpërmjet sistemit dixhital.
Por specialistët janë të mendimit se tregtia e lirë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dy vendeve. Kosova aktualisht ka taksa më të ulëta se vendi ynë, karburanti është minimalisht 40 cent më i lirë, po kështu edhe TVSH-ja e taksat janë rreth 10% më të ulëta për biznesin kosovar, çka do të thotë se hapja e kësaj dogane në Durrës, është sinjal me dritë të kuqe alarmi për subjektet vendase të import-eksportit.
Megjithatë deri tani hapja e doganës së Kosovës në portin e Durrësit, nuk është analizuar se deri në çfarë pike do të ndikojë te biznesi shqiptar i cili e ka të humbur konkurrencën me biznesin kosovar pasi barra e taksave që iu rëndon është dukshëm më e ulët se ato që rëndojnë mbi biznesin shqiptar.
K.H.





