Me zhvillimin çdo ditë e më shumë të teknologjisë, duket se njerëzit u janë larguar paksa librit, por ka ende nga ata besnikë të leximit, që mezi presin titujt e rinj për shfletuar dhe përjetuar emocionet e një historie të padëgjuar më parë. “Durrës Lajm” sjell për të gjithë të apasionuarit e librit, titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit. 

“Fqinja”- Alice Clayton

Një romancë e bukur e mbushur me skena sensuale, komike dhe personazhe interesantë. Karolina shpërngulet në një apartament të ri në San Francisko dhe kupton se fqinji i saj ka pasione të zjarrta dhe tërheqje fatale nga femrat. Një natë ajo do të përballet me Simonin të cilin nuk e kishte parë kurrë, por kishte fantazuar pa fre për të dhe do të zbulojë se ka fqinj dhe fqinj…

“Premtoj të gaboj”-  Pedro Chagas Freitas

Një fenomen letrar i pakrahasueshëm. 200 mijë kopje të shitura për një muaj, i pari në të gjitha listat e romaneve bestseller. “Premtoj të gaboj” është një libër që flet për dashurnië që na pushton, na trullos, na bën të ndihemi të pavdekshëm e njëkohësisht pa pikë force, por fuqia e saj më e madhe vjen atëherë kur ndihemi të lirë. Është kjo dashuria që i flet drejtpërdrejtë shpirtit tonë dhe vjen kur pushojmë së qenuri të përsosur.

“Zonja Benz”- Jill Alexander Essbaum

Është konsideruar një “Ana Karenina” apo një “Zonja Bovari” e kohëve moderne.  Tregon historinë e një amerikaneje që jeton në Zyrih me bashkëshortin e saj zviceran, por që e ka të vështirë të përshtatet me jetën atje dhe ndihet keq shpirtërisht. Si pasojë ajo kërkon të përjetojë eksperienca të reja dhe përfundon duke krijuar një sërë lidhjesh, nga të cilat do ta ketë të pamundur të shkëputet. Pasi kalon çdo kufi moral, Ana kupton se kur një femër del nga rruga e drejtë, nuk ka më kthim pas. 

R.O.