Bardhyl Agasi, poet e politikan, ish-deputet i Parlamentit të parë pluralist në ’92-shin, me një karrierë të gjatë politike pranë PS-së, ka ardhur para publikut me vëllimin e radhës me poezi “Iluzion”. Është libri i tij i shtatë me poezi i nxjerrë nga botimi, punë të cilën e bën me pasion e përkushtim, por është edhe një farë lehtësimi e përmbushjeje shpirtërore tani që mosha e pensionit ka trokitur.
Bardhi, ashtu siç e thërrasin dhe e njohin të gjithë durrsakët, e takojmë në kafe “6-këndëshi”, pranë Pallatit të Kulturës, me një tufë librash në dorë. Është po aq energjik, sa e kemi parë në tre dekadat e fundit, po aq sa kur hyri për herë të parë në kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë në 1992-shin. Deputet në tre legjislatura, ish-kryetar i PS-së së Durrësit në kohët e vështira të PS-së, përfaqësues i lartë i strukturave të PSSH-së, Bardhi është po aq i angazhuar edhe në artin e të shkruarit. Shtrëngojmë duart dhe poeti durrsak, fillimisht na tregon se tani në moshë të pensionit ka vendosur që të ikë nga Durrësi, por jo nga poezia, as politika dhe librat.
Ashtu si poezia e tij transparente në mesazhet që përcjell, dhe Bardhi ka vendosur që këtë radhë të heqë dorezat e politikanit dhe petkun e Poetit e të na rrëfejë, me sinqeritet, atë pjesë të parrëfyer të jetës, të cilën e ka mbajtur sekrete për publikun. Në vitin ’92, asnjë prej deputetëve të Durrësit, as të PD-së e as të PS-së, nuk kishin makinë personale. Të gjithë ishin personalitet në një fushë të caktuar, intelektualë e profesorë mirëfilli. “Nga ish-komiteti i partisë kishte mbetur një makinë, dhe ne të gjithë deputetët e PD-së e PS-së shkonim në parlament së bashku, me këtë makinë. Ne ishim miq të gjithë së bashku, por nga foltorja e parlamentit ne luftonim secili për idealet që përfaqësonte. Madje e sulmonim njëri-tjetrin, për idealet dhe për vendin.
Tregon se ashtu si poezia, dhe qyteti i tij i lindjes Durrësi, nuk mund të braktisen asnjëherë, por për mbesën e tij 6-vjeçare, do të bënte gjithçka. “Mbesa, vajza e vajzës ma ka ngrënë kokën, më thotë: O gjysh, kush do më mbajë përdore të më marrë e të më çojë në shkollë? Dhe unë atje e kam zemrën, te mbesa, kështu që do iki në Tiranë, por Durrësin nuk mund ta braktis asnjëherë”, na thotë me një frymë.
Është ndjekës serioz dhe i përditshëm i zhvillimeve politike në vend, madje herë pas here e kemi parë që si një socialist i vjetër e me përvojë ngre zërin kritikues edhe ndaj PS-së. Sipas tij, vetëm fakti që në parlament flitet se ka vrasës dhe të inkriminuar në çështje penale, është e rëndë të mendohet. “Parlamenti i parë shqiptar ka pasur figurat dhe personalitete më të mira të vendit. Asokohe politika kishte ideale, luftonte për ideale, sot idealet nuk kanë lidhje me formacionet politike apo individët” , pohon Agasi.
Poezia e tij është thithur nga lexuesi, dhe këtë ja tregojnë çdo ditë miqtë me telefonat e tyre duke e uruar për vëllimin më të ri. “Poezia u përket të gjithëve dhe përpiqem që poezinë time ta lexojnë të gjithë, si ata në fshat si politikanët, ashtu edhe të gjithë pa përjashtim. Ngre zërin si poet dhe në poezinë time u bëj thirrje poetëve të ngrenë zërin për çdo ngjarje e padrejtësi që i bëhet shoqërisë”.
Ish-kryesocialisti i Durrësit, Bardhyl Agasin, e pamë së fundi në festën e madhe të 25-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste në tavolinën qendrore të të ftuarve. Por çfarë mendimi ka Agasi për politikanët e sotëm, ndërsa njihet publikisht për mbështetjen si ish-Nanoist i vjetër.
Si e shikon pas 25 vjetësh Agasi Partinë Socialiste?
Sa vend zënë në moshë të pensionit librat dhe poezia?
Pse do të largohet përfundimisht nga Durrësi?
Këto e të tjera përgjigje i marrim në intervistën e mëposhtme.
K.H.





