Arrestimi i një shqiptari, që banesën e kishte kthyer në serë për kultivimin e marijuanës ka nxjerrë zbuluar një tjetër shqiptar, fqinj me të parin. Mediat italiane raportojnë se policia ra në gjurmë të një shqiptari, për të cilin dyshonte se merrej me kultivim e trafik të lëndëve narkotike.

Ka mjaftuar një kontroll në banesën e 32 vjeçarit shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, për ta vënë atë në pranga.

Në shtëpi iu gjetën të mbjella së paku 25 bimë narkotike, me gjatësi deri në 105 cm, ndërkohë që gjatë kontrollit iu gjet e sekuestrua edhe lëndë narkotike, gati për shpërndarje. Sipas policisë, ai ishte i njohur edhe më parë për karabinierët, pasi kishte precedentë të mëparshëm mbi supe.

Në kuadër të të njëjtit operacion, policia vendosi të bënte një kontroll edhe në banesat e tjera. Këtu erdhi surpriza, pasi në banesën ngjitur, të një shqiptari 55-vjeçar u zbulua një “thesar” i vërtetë.

Aty policia zbuloi të fshehura ora të markës Rolex, sende floriri, e shumë objekte të tjera me vlerë, që pas hetimeve, rezultuan të vjedhura.

Madje, nga verifikimet rezultoi se shumë prej këtyre sendeve ishin të vjedhura në një apartament në Carpi, në datën 8 korrik, sende të tjera të vjedhura nëpër banesa mes shkurtit dhe korrikut.