Pas deklaratës për shtyp të Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, e cila akuzoi kryebashkiakun e Tiarnës Erion Veliaj për ngjarjen e ndodhur në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, ka reaguar menjëherë Bashkia e Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Veliaj është shprehur se Partia Demokratike shfrytëzon çdo situatë për kapital politik. Në deklaratë thuhet gjithashtu se institucionet përkatëse po hetojnë për ngjarjen në fjalë.
Bashkia Tiranë thotë se po pret hetimet për këtë ngjarje dhe do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të institucioneve që po bëjnë hetimin.
Në deklaratë Bashkia nuk jep asnjë sqarim përse punonjësit e ndërmarrjes “3R” që mbikëqyrej nga Bashkia Tiranë, punonin në landfill të pasiguruar dhe jashtë çdo kushti minimal.
Një fakt të tillë e zbuloi tre ditë më parë edhe “BIRN” në një shkrim investigativ, megjithëse shumë media e censuruan.
Deklarata e plotë e Bashkisë së Tiranës:
Nga dita e parë në detyrë, stafi i Bashkisë së Tiranës është angazhuar për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët e tij, por edhe për vizitorët. Edhe pse ka ende shumë për të bërë, jemi krenarë për atë që kemi arritur në vetëm një vit. Sot Tirana është një qytet më i pastër, me transport publik shumë më funksional, me çerdhe, kopshte dhe shkolla të rikonstruktuara, me rrugë dhe trotuare të ndriçuara, me sinjalistikë për drejtuesit e automjeteve, por edhe shumë më miqësore për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.
Por, nga ana tjetër, çdo ditë përballemi me sulme politike, të cilat nuk i shërbejnë as punës sonë të përditshme, as qytetit tonë. Këto sulme bëhen edhe më absurde kur vijnë pikërisht nga ata njerëz që për katër vite me radhë zgjodhën të flinin gjumë, duke e lënë qytetin në mëshirë të fatit e që për 4 vjet nuk zgjidhën, edhe pas shumë aksidenteve, çështjen e landfillit të tejmbushur të qytetit, i cili për faj të po këtyre njerëzve kishte degjeneruar në një fushë-betejë për grumbulluesit e mbetjeve.
Disa javë më parë, një djalë i ri ka humbur jetën në fushën e grumbullimit të plehrave në Sharrë. Institucionet përgjegjëse kanë bërë shoqërimet e të implikuarve, janë duke hetuar dhe shpresojmë që e vërteta e kësaj ngjarje të trishtë të zbardhet sa më shpejtë. Një qytet me 1 milion banorë si Tirana, ka mbi 100 kontraktorë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin në rrugë, në ujësjellës, ndërtesa, ura, mbikalime, infrastrukturë arsimore, grumbullim mbetjesh, pastrim e shërbim.
Teksa Bashkia vendos rregullat, çdo ofrues shërbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka qenë dhe vazhdon të jetë në krah të institucioneve ligjzbatuese, duke ofruar të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje e vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla.
Siç e kemi shprehur edhe në reagimet tona të mëparshme, në përfundim të hetimit, Bashkia e Tiranës do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse. Por, na vjen keq të shohim se si për çdo fatkeqësi, aksident apo çdo moment të pafat, është gjithmonë Partia Demokratike, një parti e fatkeqësive historike të këtij qyteti e vendi, që mundohet të shfrytëzojë çdo situatë për kapital politik.





