Shërbimet, kushtet dhe çmimet janë sipas standartit që kërkon në zonën bregdetare të Durrësit.
Janë mijëra pushues që kanë zbarkuar këtë mes gushti në plazh, janë emigrantë e të huaj, së bashku me banorët e zonës. Të gjithë kanë zgjedhur të pushojnë sipas portofolit të tyre.
“Shqipëria është shtëpia jonë, kudo ku të shkojmë sërish në shtëpi do të kthehemi, edhe pse jetoj në Manchester prej 17 vjetësh me familjen”, thotë një pushuese në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Së bashku me tre fëmijët e bashkëshortin ata shpenzojnë së paku 2 mijë paund për 10 ditë pushime në Shqipëri, duke mos kursyer asgjë në drejtim të ushqimit, argëtimit e gjithçkaje tjetër.
Dy vajza, emigrante në Zvicër, kanë menduar të shpenzojnë 600 deri 700 Euro për 4 ditë në plazh. Vajzat janë asistente dentiste në Zvicër, dhe kanë prenotuar për katër ditë në një hotel me pesë yje në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Vajzat shprehen të kënaqura me kushtet.
Por ka edhe njerëz të thjeshtë që kanë banesat në këtë zonë bregdetare. Ata shpenzojnë vetëm 300 lekë për shezlonin në ditë, ndërsa apartamentet e tyre i kanë shtëpi të dyta plazhi.
“Çmimet këtë vit janë të lira edhe për pushuesit ditorë. 300 lekë vazhdon të jetë çmimi i një çadre me dy shezlongë”, thotë një pushuese nga Tirana.
Argëtimi për të rinjtë është gjithashtu një pikë e fortë e këtij plazhi.
Edhe restorantet janë të ndarë sipas shijeve. Në plazh mund të zgjedhësh, midis restoranteve klasikë dhe gatimeve tradicionale. Edhe çmimet variojnë sipas restorantit që mund të zgjedhësh.





