Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 26 vjeçar nga Tirana, person disa herë i skeduar nga efektivët e rendit për vepra të ndryshme penale.

26 vjeçari Klajdi Kodra nga Tirana është ndaluar nga efektivët blu pasi ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”dhe”Armbajtje pa leje”të parashikuara në nenet 89 dhe 278 të  Kodit Penal.

Kodra, më datë 03.08.2016, në Tiranë në bashkëpunim me të vëllanë, tek “Komuna e Parisit”, (në foton kryesore vendi i ngjarjes) ka goditur me armë zjarri dhe me sende të forta shtetasin Flamur Çullhaj.

Klajdi Kodra, djali i Lindita Kodrës, ish-nënkampiones së qitjes, është bërë personazh i njohur për Policinë e Tiranës.

Pas prangosjes, 26 vjeçari iu dorëzua Efektivave të Komisariatit  të Policisë Nr. 2 Tiranë.

 

Ngjarja për të cilën akuzohet Klajdi dhe Aldo Kodra

Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës në lidhje me plagosjen e ndodhur për shkak të një borxhi financiar te “Komuna e Parisit” mbrëmjen e 3 gushtit.

Klajdi Kodra, 26 vjeç, dhe vëllai i tij Aldo Kodra, 20 vjeç, janë shpallur në kërkim nga policia me akuzën e plagosjes së shtetasit Flamur Cullhaj.

Ky i fundit, 38- vjeçar, mbeti i plagosur mbrëmjen e së mërkurës së javës së kaluar pranë një qendre tregtare në zonën e “Komunës së Parisit” pas një konflikti që pati me dy vëllezërit. Jo zyrtarisht, burimet e Policisë kanë thënë se motivi i ngjarjes ka qenë një çështje borxhi.

Në komunikatën zyrtare të Policisë thuhej se “më datë 03.08.2016 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe po punohet për kapjen e shtetasve Klajdi Kodra dhe Aldo Kodra, 26 dhe 20 vjeç, banues në Tiranë, të dënuar më parë”.

Policia deklaroi se këta dy persona dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasin Flamur Cullhaj, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes u gjet dhe bllokua një fishek armë zjarri e kalibrit 9 mm dhe një gëzhojë, model 54, e kalibrit 7.62 mm.

Krimi ka ndodhur mbrëmjen e 3 gushtit, rreth orës 21:05, para një lokali që ndodhet në zonën e “Komunës së Parisit”, ngjitur me një qendër tregtare.

Në deklaratën e Policisë theksohet se të tre personat e përfshirë në konflikt kanë qenë të dënuar më parë. Sipas vendimeve të gjykatave, Klajdi Kodra është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje apo kundërshtim ndaj policisë. Ai ka qenë person i plagosur në tetor 2013 te Liqeni Artificial.

I kërkuari tjetër, Aldo Kodra, rezulton sipas vendimeve gjyqësore i dënuar më herët për konflikte të ndryshme me pasojë plagosjen në Tiranë dhe për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit. I plagosuri Flamur Çullhaj, sipas Policisë, ka qenë person i dënuar në 2012-n dhe në 2016-n për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

M.B.