Sean Paul nuk do të mbajë koncert në qytetin e Durrësit ashtu siç ishte parashikuar.

Këngëtari me famë botërore pritej që të mbërrinte ditën e shtunë më 6 gusht në Durrës, për të performuar hitet e tij në të njëjtin club ku ishte i ftuar special një muaj më parë rreperi Chris Brown.

Por për arsye shëndetësore, Sean Paul nuk do të mund të vijë, duke zhgënjyer kështu fansat që ishin përgatitur për të parë nga afër idhullin e tyre.

Club-i në Durrës njoftoi 3 ditë më parë anulimin e koncertit, dukë bërë të ditur se edhe vetë artisti do të postojë një video shpjeguese për transparancë.

Megjithëse video nuk postoi, Sean Paul shkroi në faqen e tij zyrtare në “Facebook” se nuk do të mund të jetë pjesë e koncerteve të tij në Shqipëri, Itali e Gjermani për arsye shëndetësore, duke u kërkuar të gjithëve ndjesë.

“Jam vërtet i zhgënjyer dhe ju kërkoj ndjesë. Urdhrat e doktorëve; nuk do të jem në gjendje të performoj për disa javë. U kërkoj ndjesë fansave të mi në Shqipëri, Itali, Gjermani (për 6, 10 dhe 12 gusht). Ekipi im i turneut është duke punuar për datat e reja, kështu që mos u bëni merak !!! Vërtet që kisha dëshirë për t’ju parë të gjithëve ju në turin jashtë kontrollit të verës 2016 së Europës, por ekipi mjekësor më thotë se unë duhet të pushoj”, shkruan këngëtari Sean Paul.

Kështu, mbetet për t’u parë në vijim se kur do të mund të vijë në Durrës.

S.L.