Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka mirëpritur sot përfaqësues të BE-së në kuadër të Javës së Europës, e cila po vijon aktivitetet e saj në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ai ka shprehur falenderimin e tij për mbështetjen që Bashkimi Europian i ka dhënë Shijakut pas tërmetit dhe për të gjithë transformimin e Shijakut si një qytet europian falë mbështetjes së Kryeministrit dhe Qeverisë shqiptare.

Postimi i plotë:

Fjalimi im sot gjatë vizitës së Përfaqësuesve të Bashkimit Europian në qytetin e Shijakut.

I nderuar z. Jannis von Oy, Zëvendës Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.
I nderuar z. Sylvain Gambert, Zëvendës Shef i Seksionit Politik në Bashkimin Evropian në Shqipëri.

Është një kënaqësi e veçantë për mua si kryetar i bashkisë dhe për të gjithë qytetarët e Shijakut, t’ju mirëpresim në qytetin tonë, në këtë ndalesë simbolike me autobuzin e Javës Europiane, si një rrugëtim shprese për të gjithë ne. Prania juaj këtu dhe institucioni që ju përfaqësoni është shpresë për të ardhmen e Shijakut.

Mbështetja e Bashkimit Europian ka qenë e pazëvendësueshme sidomos në Konferencën e donatorëve, ku vendet e Bashkimit Europian u sensibilizuan me situatën e vështirë që kaluam për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, duke na dhënë mbështetjen maksimale.

Jam i nderuar që po vizitoni nga afër qytetin tonë, i cili po rilind pas tërmetit.
Unë gjithmonë kam shprehur që me mbështetjen e Kryeministrit do ta bëjmë Shijakun një qytet europian, sepse ne e duam Europën dhe frymën pozitive që përcjell.
Jemi pjesë e Europës fizikisht, urojmë që shumë shpejt të jemi pjesë e Bashkimit Europian si një vend anëtar. Shqiptarët mezi presin ta shohin vendin e tyre të bëhet anëtar i BE-së.

Jam krenar që me angazhimin tim dhe dëshirën për të ecur përpara drejt integrimit europian, në bashkinë e Shijakut kemi ngritur një sektor të veçantë të zyrës së Bashkimit europian, i përbërë nga shefi i sektorit dhe dy specialistë të Integrimit. I falenderoj djemtë dhe vajzat që përmes punës së tyre të përditshme kontribuojnë për komunitetet në Shijak, sidomos për të rinjtë, duke u përballur me sfidat e të rinjve dhe mobilizim e tyre për çështje të ndryshme.

Bashkimi Europian është një model i vërtetë i mirëkuptimit njerëzor. Ju falenderoj që edhe qyteti ynë është pjesë e programit EU4Schools, ku falë investimit tuaj po ndërtojmë shkollën “Rilindja” dhe Kopshtin nr.2 me të gjitha kushtet europiane. Investimi në arsim është një investim për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë.

Shijaku edhe pse një qytet i vogël ka një histori të madhe. Gjurmët europiane në qytetin tonë janë që në vitin 1930, ku mbi bazën e projektit francez Shijaku mori fizionominë e plotë si qytet.

Lumi Erzen, simbol i Shijakut përmendet me emërtimet e tij shumë të hershme nga pikëpamja historike. Ura e Shijakut është gjithashtu simbol për qytetin tonë.
Shijakasi shquhen dhe për klubin sportiv Erzeni që është krijuar që në vitin 1931. 

Modestisht më duhet të theksoj se një nga tiparet më të spikatura të banorëve të Shijakut, që e shquajnë në tërë Shqipërinë, është mikpritja e rrallë, madje historia e ka treguar këtë.

Ju falenderoj përzemërsisht për praninë tuaj dhe suportin që po i jepni Shijakut!