Dërgohet për gjykim kancelarja e Gjykatës së Apelit, Durrës, Suzana Mandija, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv…të funksionarëve të drejtësisë”. Ajo akuzohet se i ka marrë një shumë parash një shtetasi, me qëllim që të afronte datën e procesit gjyqësor civil që kishte qytetari në Gjykatën e Apelit në këtë gjykatë.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda, dërgon për gjykim edhe shtetasin Gëzim Shala, i akuzuar për « ushtrim ndikimi të paligjshëm ». Ky shtetas ka ndërhyrë tek e pandehura Mandija për të ndihmuar qytetarin që kërkonte shqyrtimin e çështjes së tij në një kohë sa më të shpejtë.
HETIMET
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në vitin 2015, ka referuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin e shtetasit S.T.
Kallëzuesi tregon se ka pasur një problem për pronën e tij e cila është në emër të vëllait të tij. Kallëzuesi ka përfaqësuar vëllanë e tij në proceset gjyqësore. Për këtë qëllim ka hapur proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë, Elbasan. Gjykata e pranoi kërkesën dhe vendosi detyrimin e ZVRPP Gramsh për të bërë regjistrimin e parcelës, sipas aktit të marrjes së tokës në pronësi. ZVRPP e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Durrës.
Për rreth një vit nuk ka pasur asnjë njoftim për caktimin e datës për zhvillimin e seancës gjyqësore. Është interesuar pranë Gjykatës së Apelit, tek sporteli i kancelares, dhe meqenëse sporteli ishte i mbyllur është ulur në kafenenë e cila ndodhet brenda ambienteve të kësaj gjykate. Aty brenda gjeti një grua rreth 35-40 vjeçe, me gjatësi rreth 165 cm, me flokë të zeza të prera shkurt.
Ajo e pyeti si me nxitim që si e ka problemin dhe S.T i ka thënë që ka një çështje civile por ka kaluar shumë kohë dhe akoma nuk ka njoftim se kur do të zhvillohet. Ajo mori numrin e Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit dhe shkoi në zyrën e saj. Pas rreth një ore ajo i thotë se do ta ndihmojë për caktimin e datës që të jetë sa më afër por nuk merr dot gjë përsipër për gjyqtarët, duke e lënë të kuptonte që për gjyqtarët duhet të flisnin përsëri.
Pas rreth 2-3 muajsh u caktua data për zhvillimin e seancës gjyqësore. Kur ishte data e gjyqit shkon përsëri në Gjykatën e Apelit dhe ulet në lokalin që ndodhej brenda ambienteve të gjykatës, dhe prapë apo ai kamerier e njofton Zanën se doja ta takoja. Zana vjen dhe ulet në tavolinën e tij ku S.T e falënderon që i caktoi një datë për gjyqin.


