Të frymëzuara nga arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe hapat e vegjël të Partizanit në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, mediat italiane kanë përfituar nga rasti për t’i bërë një bilanc të përgjithshëm futbollit tonë.

Konkretisht njëra prej të përditshmeve më problematike italiane, “Il Fatto Quotidiano”, e bazuar në dëshmi të autoriteteve përkatëse, ka ndërtuar një shkrim ku me pak fjalë tregon sesi puna e mirë e bërë nga Gianni De Bisi dhe 23 lojtarët që shkuan në Francë u përbalt nga akuzat e trukimeve që çdo vit rëndojnë mbi shqiptaret që na përfaqësojnë në Euro në rang klubesh.

“Problemi i klubeve shqiptare është endemik dhe ka origjinë të largët”, nisi fjalën e tij sekretari i “Federbet”-it, Francesco Baranca. “Unë mund t’iu jap një datë. 14 gusht i 2003-shit, Dinamo dhe Lokeren-i sfidoheshin në Tiranë për turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës (0-4) dhe Vilaznia-Dundee (0-2). Këto janë dy ndeshje të trukuara praktikisht në të njëjtën kohë. Kjo është origjina e ‘match-fixing’ modern”, arsyetoi sekretari i kompanisë që heton shifrat që luhen për ndeshjet në Europë, shkruan Asport.

Në komentin e tij, Baranca sqaron se ky “virus” nuk ka infektuar vetëm Shqipërinë. Sipas tij, ai ka vënë përfund të gjithë Europën Lindore. Në këtë pikë ai përfitoi nga rasti për të thënë se në rajonin tonë është Shqipëria ajo që vuan më shumë prej trukimit të ndeshjeve. “Askush nuk ka guximin që të kuotojë ndeshjet e Super Ligës. Rezultatet e atyre ndeshjeve nuk korrespondojnë me vlerat e vërteta të skuadrave që zbresin në fushë. Dhe si të mos mungonte kjo klubet shqiptare katranosin gjithçka edhe kur luajnë në kompeticionet europiane dhe miqësoret që zhvillojnë me ekipet e huaja gjatë verës”, tha italiani.

Mes të tjerash sekretari i “Federbet”-it foli edhe për çështjen “Skënderbeu”. “Ne kemi dalluar katër neshje që ai ekip ka manipuluar. Flasim për duelet që ato kanë luajtur kundër Crusaders e Dinamos së Zagrepit në turet paraeliminatore të Ligës së Kampioneve dhe sfidat e zhvilluar në fazën finale të Ligës së Europës përballë Sporting Lisbonës dhe Lokomotiv Moskës. Në Shqipëri nuk duhet të harrojmë edhe ndeshjenmes Laçit dhe Flamurtarit”, akuzoi Francesco Baranca.

Në fjalën e tij përfaqësuesi i lartë i “Federbet”-it foli edhe për mënyrën sesi i dha zgjidhje UEFA kësaj çështjeje. “Gjëja më e rëndë është se UEFA nuk ka bërë asgjë në dhjetë vitet e fundit për këtë problem. Dhe tani ta mendojnë se zgjidhën ndonjë gjë me një dënim të vogël. Problemi nuk është Skënderbeu por të gjitha skuadrat shqiptare. Problemi më i madh është ajo çfarë fshihet pas tyre. Vini re, teksa ‘CAS’ dënonte klubin korçar, një tjetër ekip shqiptar trukonte ndeshjen e saj në Kazakistn. I referohem ndeshjes mes Teutës dhe Almaty-t të vlefshme për Europ League. A km dyshime për ato që po them? Absolutisht jo. Bastet për katër a më shumë gola morën kot gjatë ndeshjes. Rezultati final ishte 5-0. Me tre gola të pësuar në 30 minutat e fundit”, përfundoi Francesco Baranca.