Zyrtarisht janë konfirmuar 9 viktima pas sulmit që ndodhi në Mynih të Gjermanisë, tre prej të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.
Viktima e tretë është Dijamant Zabergja, 21 vjeç, ndërsa dy vajza e tjera që humbën jetën janë Sabina Sulaj dhe Armela Segashi që ishin nën shoqërinë e njëra-tjetrës.
Lajmin e ka dhënë babai i djalit, Naim Zabergja, me një postim në profilin e tij në “Facebook”, ku shkruan: “Me pikëllim të thellë njoftoj farefisin, miqtë dhe shokët se djali im Dijamant Zabergja, 21-vjeçar, u vra dje në Mynih nga dora terroriste”.
Sipas policisë gjermane, autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë.
Një operacion i gjërë i policisë nisi menjëherë pas njoftimeve se sulmi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum” ishte kryer nga tre persona, por më vonë policia gjermane tha se autori kishte vepruar i vetëm.
Të shtënat nisën në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar incidentin si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane.





