Delegacioni i Bashkimit Evropian do të jetë të mërkurën në Durrës, në kuadër të projektit #JavëteEvropës2021.
Në njoftimin për shtyp në rrjete sociale, delegacioni i BE-së fton të gjithë qytetarët që të vijnë t’i takojnë në qendër të qytetit, për tu bërë pjesë e aktivitetit që do të organizohet me këtë rast.
BE ka nisur disa projekte të rëndësishme në qytetin bregdetar, të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe pikërisht pikëpyetjet që qytetarët mund të kenë mbi këto investime, do t’u jepen përgjigje nga organizatorët.
“Këtë të mërkurë, ejani të na takoni në qendër të qytetit dhe të bëni një foto me autobusin më të njohur ndërsa informoheni për projektet tona në Shqipëri. #EU4Schools dhe # EU4Culture do të jenë gjithashtu aty për të dhënë informacione se si BE-ja po mbështet Durrësin të rimëkëmbet nga tërmeti i 26 nëntorit”,– shkruhet në njoftim.
Më vonë, aktivitetet do të spostohen në zonën e Ishmit, ku fillimisht do të organizohet një aksion pastrimi i plazhit, ndërsa më pas një event kulturor do të zhvillohet pranë kishës së Kepit të Rodonit, një monument që do të rindërtohet nga programi #EU4Culture.
“Më vonë, në orën 16:00, bashkohuni me ne për një pastrim plazhi me aktivistë në Kepin e Rodonit.
Në mbrëmje, në orën 18:00, ne do ta mbyllim ditën me muzikë nga Mr. Cool pranë kishës tek Kepi i Rodonit. Një tjetër monument i trashëgimisë kulturore që së shpejti do të rindërtohet nga #EU4Culture”,- shkruhet në njoftimin në rrjete sociale.





