Ashtu siç pati paralajmëruar pak ditë më parë bashkia Durrës, dita e parë e kësaj jave nisi me aksionin e pastrimit të plazhit, plugimit dhe dezinfektimit të rërës, për ta bërë gati vijën bregdetare për pushuesit që pritet të vijnë gjatë sezonit turistik.
“Filluam javën e pastrimit të bregdetit. Nga puna për pastrimin e plazhit të madh.”,- njofton bashkia, ndërsa publikon edhe foto nga aksioni i së hënës.
Bashkia e Durrësit ka njoftuar se e gjithë kjo javë do të jetë e fokusuar tek pastrimi i plazheve, aksion që do të realizohet nga ndërrmarrjet në varësi të pushtetit vendor. Kryebashkiakja Emiriana Sako kërkoi njëkohësisht bashkëpunimin e qytetarëve dhe angazhimin e tyre për të mbajtr pastër qytetin.
“Ftojmë të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë në pastrimin e mjedisit të na bashkohen sepse të gjithë bashkë duhet të punojmë për një Durrës turistik”,– shkruante kryebashkiakja Sako pak ditë më parë në rrjete sociale.
Aksioni i nisur ditën e sotme do të vazhdojë deri më 23 maj.
Grafiku:
• Më 17 maj, Ndërmarrja Komunale e plazhit do të pastroje zonën e plazhit tradicional (nga AGIP-i në Plepa); kurse ndërmarrja Rruga do të pastrojë zonën tek Shkëmbi i Kavajës.
• Më 19 maj, plazhet që ndodhen në njësinë administrative të Ishmit do t’i pastrojnë të rinjtë e institutit privat EUROPE FOR ALL, që operon në të gjithë territorin italian, themeluar në vitin 2010 nga një grup të rinjsh për të promovuar programe arsimore dhe trajnuese si në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar.
• Më 20 maj, Ndërmarrja e Shërbimit Komunal Durrës dhe Ndërmarrja Rruga do të pastrojnë plazhet e Katundit të Ri, Bishtkamëz.
• Më 21 maj, shkolla e mesme “Rexhep Mezini”, ndërmarrja e shërbimit komunal dhe ndërmarrja Rruga do të pastrojnë Kalanë e Ishmit.
• Më 22 maj, nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Durrësit dhe studenttët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”Durrës do të pastrojnë Currilat.





