NGA ENIDA HIMAJ
Bekimi është vetëm 17 vjeç, por nuk ngjason aspak me adoleshentët e tjerë. Sapo ka sjellë në Shqipëri medaljen e argjendtë nga Kroacia, ku mundi të triumfonte mes 54 shteteve dhe 42 pjesëmarrësve në Kupën e Botës për Karate. Megjithatë për të, ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Ka pasur raste edhe kur kam menduar të heq dorë, por falë stërvitjes “masakruese” dhe vullnetit të hekurt, ia ka dalë të përmbushë qëllimet e tij.
Në intervistën për “Summer Pages”, kampioni na tregon emocionet që ndjeu teksa pa flamurin e Shqipërisë të valëvitej mes më të mirëve të botës. Edhe pse sipas tij karateja është një sport i harruar, për Bekimin është padyshim sporti që formon moralin dhe karakterin e një garuesi. Më poshtë ju sjellim rrugëtimin e një kampioni, që bëri të mundur që e gjithë bota të njohë sportin shqiptar…
Si u bë Bekimi pjesë e karatesë, ç’është ky pasion i juaji?
Kam qenë vetëm 7 vjeç kur e provova për herë të parë. Atëherë isha shumë i vogël dhe më pëlqente shumë ky sport. Më pas bëra garat e para dhe e kuptova që kisha mundësinë të ecja para. Kur bëra një provë në garën e të rinjve, u kualifikova në Ballkanike. Atëherë e kuptova që kisha mundësinë që përveçse një pasion për mua, ishte edhe një sfidë që të lartësoja emrin e vendit tim, familjes sime dhe të të gjithëve atyre që më mbështesin.
E konsideroni punë apo pasion karatenë?
Edhe pse u bënë shumë vite tashmë që merrem me këtë sport, unë e konsideroj pasion. Nëse do të ishte punë, do të më krijonte stres. Para disa kohësh pata një periudhë të errët, pa medalje dhe pa shumë aktivitete. Nëse do ta quaja punë, do të hiqja dorë që atëherë. Por ishte vullneti dhe pasioni ato që më shtynë përpara.
Kur e kuptuat se ishit shndërruar në një profesionist në këtë fushë dhe se kishit mundësi për t’u shndërruar në një fenomen?
Në fillim ishte kampionati i fëmijëve, ku unë mora vendin e parë. Nga kjo mu hap rruga për të shkuar në Kampionatin Ballkanik në Mal të Zi në 2012. Si garues i ri që isha, luftova goxha mirë dhe spikata. Më pas kam pasur disa aktivitete në Kosovë dhe Maqedoni, ku edhe kam marrë çmime të para. Besoj se ky ishte momenti ku unë edhe spikata si talent. Në çdo event që merrja pjesë, edhe nëse nuk merrja asnjë trofe, do të isha se s’bën në 10-tëshen më të mirë dhe kjo nuk ishte pak për mua. Medalja e fundit, ajo e argjendtë në Kroaci, për mua ishte jo vetëm një sukses i imi dhe i familjes sime, por ishte një sukses edhe për sponsorizuesit e mi, për trajnerit tim në Mal të Zi, për të gjithë vendin tim. Personalisht ishte një ngritje morali, pasi pas Kampionatit Evropian në Qipro, ku unë mora vetëm vendin e 9, kalova një fazë shumë të vështirë morale.
Si e gjetët forcën për t’u rikthyer edhe njëherë te karateja?
Kur u ktheva në Tiranë, kalova një gjendje të keqe morale. Megjithatë, vendosa ta provojë edhe njëherë stërvitjen, këtë herë në Mal të Zi, pasi aty ka shumë kampionë karateje dhe kushte shumë të mira. Ramë dakord me trajnerin tim, Parid Dule, të cilin gjej rastin ta falënderoj për punën që ka bërë me mua. Vendosa që të shkoja në Mal të Zi, pasi jam tip që këmbëngul dhe nuk mund të hiqja dorë kaq thjeshtë. Më pas takova trajnerin tim në Mal të zi, Zarko Rakoviç, i cili më tha që unë mund t’ia dilja, mjaftonte që vetëm të më tregohej rruga. Dhe ashtu ndodhi, në Mal të Zi bëra një stërvitje intensive, ku ndeshesha me 20 lojtarë të ndryshëm, çfarë edhe më ndihmoi shumë. Bëja stërvitje tri herë në ditë, çdo ditë të javës pa pushim. Pas çdo stërvitjeje futesha në vaskë me ujë të ftohtë dhe më pas gjumë. Mu mor telefoni, nuk më lejohej të kisha akses në rrjetet sociale, që të isha totalisht i përkushtuar ndaj stërvitjes dhe objektivave që i kisha vënë vetes sime. Në atë moment e kuptova që unë do t’ia dilja dhe ashtu ndodhi.
Si u ndje Bekimi në Kroaci, në Kupën e Botës, çfarë emocionesh përjetuat?
Në fillim isha shumë në tension. Aty nuk përfaqësoja më vetëm veten time. Aty unë përfaqësoja jo vetëm babain tim, që është munduar dhe shpenzuar me mua aq shumë, por njerëzit që më mbështetën deri aty, që më sponsorizuan, por mbi të gjitha, unë përfaqësoja Shqipërinë. Kisha detyrën që t’i bëja të gjithë krenarë në këtë kompeticion.
Si reaguat kur morët vesh se ishit fituesi i medaljes së argjendtë?
Të them të drejtën ishte një emocion që nuk e kisha ndjerë më parë. Nuk di sesi ta përshkruaj. Mbaj mend që u ula në gjunjë dhe kam ulëritur shumë fort, duke puthur bluzën me flamurin shqiptar. Për mua ishte një krenari shumë e madhe të shikoja flamurin shqiptar që valëvitej triumfues në atë kompeticion aq të rëndësishëm. Kam mundur të them vetëm “babi ia dola, flamuri ynë është aty lart”.
A e di Shqipëria që ka një kampion në karate, sa të ka vlerësuar vendi yt?
Pa dashur të përzihem në politikë, dua të falënderoj Lulzim Bashën, pasi në kohën që ishte kryetar bashkie, më ka mbështetur shumë. Sporti s’njeh politikë, unë vlerësimin e kam marrë nga populli im dhe jam shumë i lumtur për këtë pjesë.
Po opinioni publik sa të ka mbështetur?
Të them të drejtën, jam habitur nga mbështetja e madhe që kam marrë pas këtij trofeut. Urimet dhe mesazhet kanë qenë të panumërta si në rrjetet sociale, ashtu edhe tek njerëzit që më njohin, apo edhe ata që i ndesh në rrugë.
Sa ka ndryshuar jeta juaj pas këtij trofeu?
Jeta ime ndryshoi që pas stërvitjes intensive në Mal të Zi. Aty unë njoha veten dhe aftësitë e mia. Njoha qëllimet për të cilat po luftoja. Mund të them që krijova një Bekim të ri, si garues, ashtu edhe si njeri.
Mendoni se sportet e tjera janë lënë pas dore, duke u fokusuar te futbolli?
Është e vërtetë në fakt. Tashmë qendra e vëmendjes për shqiptarët është vetëm futbolli, stadiumet që po ndërtohen, kampionatet që do të nisin. Ndërsa sportet e tjera, përfshi edhe karatenë janë lënë në harresë. Karateja ka 25 vite që zhvillohet si sport në Shqipëri dhe mund të ketë katër herë më shumë trofe, apo medalje sesa ka futbolli.
Sipas jush, pse interesohen të gjithë më shumë për futbollin?
Disa thonë që është sporti më popullor në botë. Është edhe sporti që më së shumti afron sponsorët, pra është një sport fitimprurës mbi të gjitha. Megjithatë, sporti i vlerave, ai që krijon jo vetëm garues, po edhe njerëz është karateja, apo të gjitha sportet që vënë në punë karakterin dhe moralin e sportistit.
E keni menduar të ardhmen tuaj, nëse nuk do të ishit marrë me karate?
Po, e kam menduar. Do të isha bërë me gjasa mjek pediatër. Më pëlqen që të merrem me fëmijët.
A renditet Bekimi te shqiptarët që lartësojnë emrin e vendit tonë?
Më pëlqen të jem modest te kjo pjesë. Për sa kohë unë arrita t’i prezantoj botës talentin e Shqipërisë edhe në karate, mendoj se bëj pjesë te personat që lartësojnë Shqipërinë.





