Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, konfirmon se do të jetë me kombëtaren tonë edhe në vazhdim. “Po, kam një kontratë me Shqipërinë dhe nëse Federata Shqiptare nuk ndryshon mendje, do të jem unë edhe në vazhdim”.
Kualifikimi mbeti një ëndërr: “Shpresuam gjatë, bëmë tifozllëk për disa kombëtare, por nuk patëm fat.
Gjithsesi, kjo skuadër meriton duartrokitje, jo unë, sepse kanë bërë diçka madhështore. “Nuk prisja dhurata, por rivalët tanë për kualifikim kishin disa avantazhe, ndaj nuk ishim në pozicion të mirë”.
Cana është tërhequr nga kombëtarja: “Një shembull i mrekullueshëm, lider i vërtetë dhe shembull për atë që tregoi, mjafton të kujtohet reagimi i tij shumë pozitiv kur mësoi se nuk do të ishte titullar ndaj Rumanisë.
“Keqardhja më e madhe? Natyrisht, më vjen keq për humbjet kundër Zvicrës, sepse nëse tregoheshim pak më cinikë, pak më të këqij në momente të caktuara, me pak dinakëri mund të merrnim pikë. Megjithatë, Shqipëria është një skuadër e re dhe pa eksperiencë në kompeticione të tilla. Pritshmëritë para Evropianit? Ndaj Francës nuk shpresoja shumë, edhe Zvicra ka më shumë cilësi, por një pikë ndaj Zvicrës apo Francës do të na lejonte të kualifikoheshim dhe për këtë më vjen keq”.
Në vjeshtë nisin kualifikueset e Botërorit 2018: “Gabojmë, nëse mendojmë se jemi në nivelin e Spanjës dhe Italisë. Ne duhet të mendojmë se mund të jemi skuadra e tretë më e fortë në grup, ta bëjmë diferencën në fushë, duke kujtuar çfarë na lejoi të mbërrinim në Evropian. “Skema e lojës? Nuk luajmë dot me 3-4 sulmues, duhen mesfushorë dhe mbrojtës të një tipi të caktuar, ndërsa ne duhet të bëjmë maksimumin me ata lojtarë që kemi dhe të rinisemi nga siguritë e Evropianit.





