Shqipe Mema, 60-vjeçare, nëna e Luanit të marrë peng nga Adel Sallam, prej gati 24 orësh nuk vë gjumë në sy. As ajo as familja e saj. Ka parë djalin të prangosur në anije, dhe nuk di si ta shpëtojë, çfarë të bëjë, si ta lirojë prej zinxhirëve të pengmarrjes në portin e Aleksandrisë së largët.

Në vaj e lot janë futur dy familjet e marinarëve durrsakë të marrë peng nga 30-vjeçari egjiptian, pjesë e ekuipazhit të anijes “Çelepia 2”. Nëna e Luan Memës, 36-vjeçari i nxjerrë në foto me pranga në duar, dhe babai i tij Lulëzimi, kanë kaluar një natë në shok, pas fotografisë ku djali i madh i familjes shfaqej i prangosur në anijen ku punonte si motorist.

(Luan Mema i lidhur në anije)

Djali i vetëm i kapitenit të anijes Dhimitër Malja, Damiani 25-vjeçar, i bën apel shtetit të ndërhyjë për të liruar pengjet.

“Nuk e di Adeli, nuk ka sjellë asnjë foto nga babi im. Jemi në merak shumë të madh, të gjithë familjarët. Duhet ndërhyrja e shtetit, të vijnë njerëzit gjallë nga pengmarrja”.

Djali i pronarit të anijes Florian Çelepija, në një intervistë për “DurrësLajm”, deklaroi se ka vijuar bisedën me marinarin egjiptian.

“Adeli në fillim kërkoi 70 mijë Euro, më pas 100 mijë Euro. I thamë ku të t’i nisim, t’ia japim, por ku ta gjejmë. Na thotë që anijen e shita. Shteti duhet të ndërhyjë për të shpëtuar dy marinarët durrsakë”, thotë Çelepia.

Ndërkaq hetimet janë duke u zhvilluar nga sektori i Krimeve të Rënda në policinë e Durrësit për pengmarrje e shantazh.

Deri tani nuk dihet si do të veprohet, pasi pengmarrja ka ndodhur në Shqipëri e ngjarja ka dalë jashtë kufijve të territorit të republikës.

K.H.