Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën “arrest me burg” për Anjeza Shabanin, administratoren e kopshtit “Diren”, e cila ka dhunuar barbarisht një fëmijë 3-vjeçar në këtë kopsht.
Gjyqtarja Fatime Deçolli vendosi këtë masë për dy akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Dhunë ndaj të miturve”, ndërkohë që ende nuk është shprehur sa i takon akuzës tjetër të “Aktivitetit të paligjshëm”.
Anjeza Shabani ka kërkuar masën “arrest shtëpie” pasi ka një fëmijë të mitur për të rritur, por gjyqtarja nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë.
Ajo është larguar nga kafazi i hekurt duke qarë për të shkuar në qelitë e paraburgimit, por kur është futur në sallën e gjyqit, ajo ka shkëmbyer disa fjalë me babanë e saj, duke iu shprehur: “Babi, jam shumë mirë”.
Edhe babai i saj, si për t’i dhënë kurajë dhe për t’i treguar që është me të, i tha: “Bravo, qëndro e fortë”, i cili u përplas edhe me njërin prej gazetarëve që ndodhej pranë tij duke iu drejtuar me fjalë të rënda edhe fyese.
Anjeza Shabani, ish-gazetare, u filmua duke rrahur një fëmijë tre vjeç në kopshtin që kishte nën administrim. Dhuna që ajo ushtronte ndaj vogëlushit shkaktoi një shok të madh tek opinioni publik.





