Në portin e Durrësit ka mbërritur për herë të tretë brenda këtij muaji kroçera “Thomson Celebration” me 1226 turistë në bord.

Pjesa më e madhe e tyre, 1211 vetë, vijnë nga Britania e Madhe, ndërsa nuk mungojnë turistët nga rreth 11 vende të botës, konkretisht nga Irlanda (6), Zelanda e Re, SHBA, Portugalia, Kroacia, Holanda, Italia, Kanadaja, Bullgaria dhe Spanja.

Anija turistike është ankoruar në kalatën 5 rreth orës 8:00 paradite dhe Autoriteti Portual, njoftoi se ka marrë të gjitha masat për mikpritjen dhe për lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.

Pas zbritjes në Durrës, një pjesë kanë udhëtuar të organizuar me autobusë drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë janë ndalur në  qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.

Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë tonë ka flamur maltez. Në bordin e saj punon një personel prej 532 vetash. Që nga muaji mars i këtij viti, kjo është anija e shtatë turistike e këtij sezoni, të cilat kanë sjellë në Durrës një numër të konsiderueshëm turistësh prej  3584 personash gjithsej. Deri në nëntor, në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 15 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.