Sipas të gjitha gjasave, minutat e luajtura ndaj Rumanisë janë të fundit me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit për Lorik Canën. Kapiteni i kuqezinjve pritet që t’i japë lamtumirën Kombëtares duke e përjetuar pjesëmarrjen në Europian me fanellën e Shqipërisë si kulmin e karrierës së tij të pasur sportive.
Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë në “Supersport”, Lorik Cana la të kuptohet se në mendjen e tij, vendimi për t’i dhënë lamtumirën Kombëtares është pjekur, duke paralajmëruar së shpejti dhe zyrtarizimin e tij.
Mbi 90 ndeshje me kombëtaren pjesë e së cilës është që nga viti 2003, por mbi të gjitha simbol dhe model për t’u ndjekur, gjithmonë i gatshëm për t’u sakrifikuar, Lorik Cana mbetet padyshim një ikonë e përfaqësueses kuqezi.





