Janë heronj. Pavarësisht se po kthehen në atdhe, ndërkohë që Europiani nuk ka mbaruar ende, lojtarët e Kombëtares do të priten me ceremoni shtetërore dhe si heronj. Festë në shesh, rrugë të rezervuara vetëm për parakalimin e kuqezinjve, si dhe takime me zyrtarë të lartë shtetërorë. Kjo është axhenda që pritet të ndjekë Kombëtarja gjatë ditës së sotme.
Nisja
Do të jetë një pritje e gjatë. Nisja e avionit çarter të Kombëtares do të bëhet rreth orës 15:00. E mbrëmshmja ka qenë nata e fundit e Shqipërisë në Europian dhe për lojtarët, 24-orëshi i fundit në grumbullim me Kombëtaren për këtë aventurë historike. Pas barazimit të Portugalisë, Shqipëria është eliminuar përfundimisht dhe që nga ai moment kuqezinjtë kanë pësuar ulje të humorit dhe janë trishtuar që nuk u ka mjaftuar ajo fitore ndaj Rumanisë për të vijuar aventurën në Europian edhe pas fazës së grupeve.
Takimet
Fillimisht kuqezinjtë do të ndalen në Bashkinë e Tiranës për të marrë “çelësin” e kryeqytetit. Vizita e dytë do të jetë në Ministrinë e Jashtme. Kreu i këtij institucioni do të presë delegacionin kuqezi ku do të dhurohen pasaportat diplomatike që janë premtuar për lojtarët dhe stafin e kombëtares kuqezi. Më pas, Kryeministria do të jetë destinacioni në vijim të udhëtimit të Kombëtares. Kreu i Qeverisë do ta presë Kombëtaren për të bërë falënderimet zyrtare, përpos atyre që Rama ua ka përçuar me anë të telefonatës që pati me delegacionin kuqezi pas fitores me Rumaninë, ku edhe u akordua një shpërblim prej 1 milion eurosh.
Festa
Heronjtë pritet që të festojnë me popullin e tyre. Në “Fun zone” në sheshin “Nënë Tereza”, pritet që të ketë një ceremoni festive ku Kombëtarja do të ketë mundësinë që të jetë përballë tifozëve të saj në një tjetër festë që do të përmbyllë aventurën kuqezi në Europian.





