Në vigjilje të Fiter Bajramit, imami i xhamisë së madhe në Durrës, Ervin Qylafku thotë se falja e Bajramit do të bëhet mëngjesin e së enjtes, në orën 06.10, duke respektuar protokollet e pandemisë dhe distancimin fizik.

“Si çdo vit tjetër, ne sistemohemi brenda xhamisë, por mund të shfrytëzojmë edhe hapësirën këtu jashtë, sipër galerisë. Njëkohësisht do të respektojmë distancimin fizik që kanë vendosur autoritetet shëndetsore”,- thotë Qylafku.

Në urimin e tij për besimtarët shqiptarë për Fiter Bajramin, imami Qylafku, duke u ndalur tek ngjarjet e rënda të regjistruara ditët e fundit në Jeruzalem kërkon ndërhyrjen e lidërve botërorë për të të ndalur trazirat dhe për t’u siguruar myslimanëve qetësi e siguri.

“Gëzuar Fiter Bajramin, Zoti sjelltë mirësi, harmoni dhe begati në familjet tona. Ky Fiter Bajram ardhtë me qetësi dhe siguri për të gjithë myslimanët kudo që vuajnë në botë. E lus Zotin që udhëheqësit e botës të ndërhyjnë për të shmangur trazirat që po ndodhin në xhaminë Aksa, e cila, për ne myslimanët, vlerësohet si e treta për nga rëndësia në të gjithë botën”,- thotë Qylafku.