Paraditen e sotme, godina e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Sallmone, Shijak, është shembur.

Shembja e godinës së dëmtuar nga tërmeti i hap rrugë rindërtimit të saj nga e para, investim ky që do të realizohet nga UNDP nëpërmjet një financimi nga BE.

“Premtim i mbajtur” e ka quajtur kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, hapin e parë të hedhur për ndërtimin e një godine të re dhe me standarte.

“#Rindërtimi i shkollës “Rilindja”, Sallmone. #Premtim i mbajtur. Sot u demolua shkolla 9-vjeçare e Sallmones për t’i hapur rrugë ndërtimit të një godine të re arsimore. Kjo shkollë do të ndërtohet falë programit #EU4Schools nga UNDP nëpërmjet një financimi nga Bashkimi Europian. Kjo është shkolla e parë në bashkinë e Shijakut që po ndërtohet nga BE-ja, pasi godinat e tjera arsimore janë financuar nga buxheti i shtetit”,– shkruan Arbana.

Në fund, ai ka një urim edhe për investitorët dhe qeverinë Rama për investimin e rëndësishëm.

“Faleminderit UNDP-së, Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për të gjithë investimin për arsimin dhe mundësinë që nxënësit të studiojnë në shkolla më të mira dhe më të sigurta”,- shkruan Arbana.