DURRËS, 19 janar 2015 – Tri ditë rradhazi Durrësi është tronditur nga tre autobomba. Në të parën një biznesmen me precedentë penalë dhe 2 atentate ( me AK 47 dhe bombë të telekomandur) mbi kurriz, u plagos, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në veturën e tij Benz_Mercedes. Shpërthimi ndodhi në kufi të plazhit të Durrësit me Plazhin e zonës së Shkëmbit të Kavajës (Komuna Rrashbullit). Kuksiani u plagos, po gjithsesi jashtë rrezikut për jetën. Në rastin e dytë të ndodhur në mbrëmjen e datës 18 janar 2015 u hodh në erë me telekomandë një veturë Volvo në pronësi të një emigranti shqiptar në Angli. Makina ishte parkuar pranë një pallati në Sektorit Iliria në Plazhin e Durrësit. Fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz, vetëm shkatërrim të autonjetit. Rasti i tretë ishte autobomba që plagosi rëndë Drejtorin e Burgut të Fushë-Krujës, një vlonjat prej vitesh banor i qytetit të Durrësit. Rasti i fundit ndodhi vetëm 12 orë pas autobombës në veturën Volvo. Atentati i tretë me bombë të telekomandur është më i rëndi.
Në të u synua të asgjësohej një nëpunës i shtetit, një anëtar i organeve ligjzbatuese. Atentati ndaj makinës Opel të drejtorit të burgut të Fushë-Krujës ndodhi brenda territorit të Portit të Durrësit. Kujtojmë, që territori i Portit është zonë super e mbrojtur, me mure betoni, kangjella hekuri, e mirë ndricuar, e super-survejuar me kamera me qark të mbyllur, me porta elektronike me dispozitivë sigurie më të mira se ato të instaluara në Bari, Ancona apo Trieste, madje edhe portat e elektronike në Haifa të Izraelit nuk janë shumë më modern se këto të Portit të Durrësit. Porti ruhet nga një forcë portuale e stërvitur dhe trajnuar ndër të tjera edhe nga amerikanët. Për këtë forcë portuale janë shpenzuar (në letër të paktën) qindra milionë lekë për uniforma, fuoristrada moderne Mitsubishi, dylbi speciale për vëzhgim natën e ditën, me detektorë metali të fjalës së fundit, me mjete komunikimi të radiondërlidhjes më të mira se polica e shtetit madje, madje për të me letra (fondet janë harxhuar gjithsesi) është ndërtuar edhe nëj palestër për të ruajtur formën fizike të rojeve. Kjo forcë portuale është e armatosur me pistoleta austriake Glock 19, goxha moderne. Kujtojmë, që policia shqiptare masivisht është e armatosur me pistoleta 60-70 vjecare Tokarev apo me pistoleta 50-25 vjecare Makarov. Partija e fundit e Makarovëve u importua nga Ramiz Alia në qershor 1990 nga Kina. Kjo forcë portuale në armatimin e saj ka edhe pistoleta Glock me “Picatinny Rail”, ku janë montuar pajisje me rreze kazër, që i kanë zili edhe djemtë e RENEA-s. në magazinat e forcës portuale gjen gjithshka nga mjetet jo vdekje prurëse si gazi lotsjellës, spray irritues apo “Shock Bombs” (Flash Bangs) e deri te armatimi i lartpërmendur.
Personeli i kësaj force sigurie paguhet më mirë se policët e z. Tahir, madje edhe më mirë se ata të FNSH-së, e të tjera e të tjera, megjithatë autobomba ndodhi në zemër të Portit të Durrësit. Sic duket me qeverinë Rama të Rilindjes duhet të citojmë gjithnjë e më shpesh vargjet e Rilindasit tjetër, Naim Frashëri te Histori e Skënderbeut: Nuk është palla hekuri i dheut, por krahu i fortë i Skënderbeut! Me sa duket këta Rilindasit tanë janë krahëprerë e u ka mbetur vetëm “palla’, që një zot e di se për cfarë e përdorin!
Jam plotësisht i sigurtë, që tre autobombat dhe intermexua e suksesit policor të kapjes së hasjano-durrsakëve me bomba me telekomandë do të jetë subjekti i kabllogramit të rradhës të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kur legenë, kriminelë ordinerë “bëjnë dasëm” me autobomba të telekomanduara në Durrës, qyteti Nr. 2 i Shqipërisë dhe porti Nr.1 i vendit, kur shpërthen bomba e telekomanduar në zemër të Portit të Durrësit, c’do të ndodhë gjatë pranverës, që po vjen, kur me gjasa xhihadistë shqiptarë dhe të huaj do të synojnë të godasin Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe kontribuese me armë e municione kundra Kalifatit Islamik të Mosulit?!
Për të dëgjuar edhe “këmbanën” opozitare ju drejtuam z. Stafa shefit të opozitës lokale., duke i kërkuar komentin e tij për serialin e bombave të telekomanduara.
Në thelb z. Stafa, i cili ka një ekspoeriencë të gjerë në organet ligjzbatuese, u prononcua për “Dyrrah” se PD-ja publikisht, që prej tre muajsh e ka paralajmëruar një dalje të tillë jashtë kontrollit të rendit dhe sigurisë publike në Durrës. Arsyet sipas z. Stafa janë: Pushmet nga puna dhe rekrutimet pa kriter të efektivave të policisë në Durrës. Nxjerrja e Policisë së Shteti nga objekti i saj ligjor i sigurisë dhe i rendit publik drejt objektivave dytësore si prangosje e debitorëve të elektrikut apo të gjynahqarëve, që ndërtojnë pa leje edhe një avlli oborri në tokë të vet.
Z. Stafa vëren se përkeqësimi vazhdimisht i situatës ekonomike edhe në Durrës, një nga qytet e zonat më në gjendje në Shqipëri po shërben si nxitje e motivim i ngritjes së një vale të paparë krimi ordiner.
Me cinizëm mund të themi se në Durrës puna e bombave të telekomanduara u bë si me atë proverbin Italian: non c’e due senza tre! Ndihesh keq, kur mëngjesin e së hënës në kafene dëgjoje edhe batuta tipike të një gaz-marazi djegës të tipit: vë bast me tapinë e shtëpisë, që nuk mbyllet java pa një autobombë të katërt!
QUO VADIS DYRRACHIUM?!
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





