18 janar 2015 – Sebino Plaku pritet të jetë prurja e re cilësore në Kategorinë Superiore, sigurisht pasi të zgjidhë kontratën me Slask Wroclav, skuadër me të cilën luan që nga viti 2013. Sulmuesi 29-vjecar, prej kohësh nuk është më në planet e skuadrës polake, e cila i ka kërkuar zgjidhjen e kontratës, por mosgjetja e gjuhës së përbashkët i ka detyruar palët të ballafaqohen në Federatën Polake të Futbollit.
Plaku kërkon të jetë lojtar i lirë, por me kushtin që Slask Vroclav t'i paguajë një dëmshpërblim për prishjen e njënashme të kontratës, ndërsa që klubi polak që nuk e grumbullon prej kohësh shqiptarin në skuadrën e parë, synon të clirohet pas asnjë detyrim nga një futbollist të cilin e konsideron të panevojshëm. Një zgjidhje mund të jetë dhe dhënia e lojtarit në formën e huazimit për 6 muaj, aq sa i zgjat edhe kontrata aktuale, por është e vështirë të gjendet një destinacion i ri për sulmuesin ku të jenë të gatshëm për t'i paguar një rrogë prej 10 mijë eurosh në muaj. Nga kjo situatë kërkojnë të përfitojnë disa skuadra shqiptare, që do të ishin të gatshme ta bënin pjesë të organikës së tyre një futbollist që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar.
Destinacioni më i mundshëm në Shqipëri është Skënderbeu, skuadër me të cilën Plaku është shpallur kampion i Shqipërisë, por interes për të ka shfaqur edhe Kukësi. Kampionët dhe nënkampionët e Shqipërisë mund të bëjnë lëvizje konkrete vetëm nëse Plaku fiton gjyqin me Slaskun, proces që duhet të përfundojë në ditët e para të javës.





