DURRËS, 16 janar 2015 –  Pritet një bum vizitorësh, jo vetëm nga qyteti bregdetar dhe Shqipëria, por edhe nga bashkëkombës jashtë kufijve shtetërorë, deri dhe turistësh të huaj, të cilëve u është paraqitur Vila Mbretërore si një nga ikonat e dhe atraksionet e Durrësit. Nga ana tjetër, me rikonstruksionin e plotë të këtij segmenti urban, pas 5 muajsh, do të marrin fund ankesat e banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që duket sikur ecin në një xhade fshati me gropa të shumta (shih fotot poshtë). Po ashtu do të marrin dhe më tepër gjallëri një sërë biznesesh në kodrën mbizotëruese.

DISA TË DHËNA

Javën e parë të janarit 2015, në rrugën “Anastas Durrsaku”, ose sikurse njihet në toponiminë tradicionale vendase, “Rruga e Vilës”, është ngritur një kantier ndërtimi. Burime zyrtare nga bashkia i thanë “Dyrrah”-ut se, sipas projektit, gjatësia e rrugës në rikonstruksion është 1,3 km. Gjerësia e saj varion nga 6 deri në 8 metra në kthesa. Trotuaret do të kenë një gjerësi 2 metra. Do të ngulen 300 pilota afër Vilës për parandalimin e rrëshqitjes së dheut, po ashtu do të ndërtohen mur betonarmeje, disa mure dekorative dhe betoni për të siguruar lëvizjen dhe mosrrëshqitjen e dherave. Do të bëhen përforcime skarpatesh nga ana perëndimore me rrjeta e dhe gurë gabion. Po ashtu rruga do të pajiset me kanalizime ujërash të bardha e të zeza. Do të vendosen 30 shtylla ndriçimi etj.

REALIZUESIT

Më 31 tetor 2014 u zhvillua procedura e prokurimit për një objekt shumë të rëndësishëm dhe me peshë, ku buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion një fond limit të konsiderueshëm prej 99 957 000 lekësh (rreth 720 mijë euro). Në tender garuan 21 operatorë ekonomikë. Prej tyre u shkualifikuan 7 ofertues   përfshi dhe dy prej tyre që kryesonin listën për ofertat më të ulëta. Përfitoi ofertuesi i tretë (bashkimi i operatorëve ekonomikë “Rajli Ndërtim” + “Ulza Ndërtim” + “Cara”) me vlerë 74 119 360 lekë (rreth 530 mijë euro) ose me 74 për qind të fondit tavan. Kurse në tenderin për mbikëqyrje punimesh për rikonstruksionin e rrugës së Vilës me fond limit 1 487 454 lekë (10 700 euro), po nga buxheti i shtetit, që u zhvillua më 12 dhjetor 2014, morën pjesë 9 ofertues. U shkualifikuan dy garues. Fitoi ofertuesi “Universal Engineering 08” në Rrashbull me vlerën 224 580 lekë (1 600 euro) ose me 15 për qind të vlerës kufi!

ISHALLA, JO “ELEKTORAL”

Pa paragjykuar, shpresohet dhe urohet që, si ndërtuesit ashtu dhe mbikëqyrësi, të mos lëshojnë pe në cilësinë e punimeve për shkak të vlerave të ulëta të ofertave. Është një investim i rëndësishëm për qytetin dhe asfalti që do të shtrohet, punimet e ndryshme të mos cilësohen më vonë si “elektoral”. “Kallaji” del shpejt para qytetarëve, turistëve vendës e të huaj. Çdo gjë është e identifikueshme (shih foton me tabelën me emrat e ndërtuesve dhe mbikëqyrësit).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/