DURRËS, 23 dhjetor 2014 – Edhe durrsakja Odetë Nishani, tani Zonjë e Parë e vendit, bashkëshorte e presidentit, të lindur në Durrës, Bujar Nishani, organizoi, më 22 dhjetor 2014, në një hotel të shtrenjtë në plazhin e Durrësit, mbrëmje bamirësie për fëmijët jetimë, fëmijët me leukemi dhe ata me tumore. Vëmendja u përqendrua në mbështetjen që u duhet dhënë këtyre fëmijëve, jo vetëm në ditë festash e përvjetorësh, por në çdo kohë.
Ishin të pranishëm figura e personalitete të njohura nga arti, biznesi, media, etj., të cilët iu përgjigjën nismës së Zonjës së Parë për t’u gjendur pranë këtyre fëmijëve që më shumë se kushdo kanë nevojë për përkujdesjen e të gjithëve.
Apeli për më shumë vëmendje ndaj këtyre fëmijëve u bë dhe nga aktorët e njohur Rozë Anagnosti dhe Mirush Kabashi, të cilët mesazhet e tyre i përcollën nëpërmjet vargjeve të Nënë Terezës.
Fondet që u mblodhën nga ky aktivitet do tui kalojnë fëmijëve jetimë për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe fëmijëve të Spitalit Onkologjik për të mundësuar blerjen e medikamenteve, të cilat nuk arrijnë të mbulohen nga familjarët e tyre.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





