9 dhjetor 2014 –  Mario Baloteli që fëmijë lante duart me ujë të nxehtë, duke shpresuar se lëkura e tij do të zbardhej për t’i shpëtuar diskriminimit nga bashkëmoshatarët. Një gjë të tillë e tregoi një prej mësueseve të tij për tabloidin “The Sun”, Ticiana Gati:

“Mario kishte problem identitetin. Më pyeste shpesh nëse zemra e tij kishte ngjyrë të zezë?”. Një deklaratë e tillë vjen pak ditë pasi federata angleze ngriti akuzën për racizëm, sepse sulmuesi i Liverpulit postoi një foto në “Instagram” të personazhit të animuar “Super-Mario” me diciturën ironike: “Mos ji racist! Bëj si Mario! Ai është një hidraulik italian, i krijuar nga japonezët, i cili flet anglisht dhe i ngjan një meksikani. Kërcen si një zezak dhe rrëmben monedhat si një hebre”. Nëse do të shpallet fajtor, italiani rrezikon të pezullohet me 5 javë.