9 dhjetor 2014 – Babai i Donis Avdijajt sulmon Federatën Shqiptare të Futbollit, në veçanti trajnerin Xhani De Biazi. Sipas një deklarate të Xhemë Avdijajt tekniku kuqezi, jo vetëm që s’e ka grumbulluar djalin e tij në Kombëtaren shqiptare; jo vetëm që nuk është interesuar më për të, por tani nuk i hap as telefonin, pavarësisht se babai i Donisit pohon se i ka telefonuar dy herë, por nuk ka mundur që të flasë me teknikun italian të kuqezinjve. Muaj më parë, familja e Xhemë Avdijajt, nga Istogu i Kosovës vendosi që 18-vjeçari Donis Avdijaj të përfaqësojë Shqipërinë, pavarësisht se rritur në Gjermani dhe ka luajtur deri tani me kombëtaret e moshave të këtij vendi. Për momentin, De Biazi nuk i ka bërë ftesë Donisit, klauzola e të cilit është 49 milionë euro, vendosur kjo nga klubi i Shalkes: “Jam shumë i dëshpëruar. Si të mos jem, kur djalit tim kurrë njëherë nuk iu bë një ftesë. Nuk e di se çfarë të them”, ka deklaruar Xhemë Avdijaj. Kur vendosi që Avdijaj të luante për Shqipërinë, babai i tij ka qenë në kontakte të vazhdueshme me De Biazin.
“Pas marrjes së vendimit, e kam telefonuar dy herë De Biazin, por ai nuk është përgjigjur. Nuk e di se pse”, shtoi Xhemë Avdijaj. Donisi është një talent në rritje e sipër. Ai është përfshirë në skuadrën e parë të Shalkes këtë sezon në Bundesligë, por nuk ka luajtur qoftë edhe një sekondë në Bundesligën 1. Nisur nga kjo ftohje mes familjes Avdijaj dhe FSHF-së, babai i lojtarit është pyetur edhe nëse ai tani do të ndryshojë mendim dhe përtej Shqipërisë do të zgjedhë Gjermaninë (gjithnjë, nëse do të mund të grumbullohet nga Kombëtarja e këtij vendi). “Tani janë ndeshjet e vitit tjetër. Nuk mund të them që do t’i refuzojmë apo diçka të ngjashme, sepse dëshira e familjes është që djali të luajë për Shqipërinë. Di t’ju them se kam pasur presion edhe nga Gjermania, pasi më kanë thënë se nuk është dashur që Donisi të vendosë për Shqipërinë, sepse sipas tyre, ai është rritur dhe zhvilluar si lojtar në Gjermani”, përfundoi Xhemë Avdijaj. Gjatë konferencës për shtyp për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, Xhani De Biazi u pyet edhe në lidhje me grumbullimin e mundshëm të Donis Avdijajt. “E kam thënë edhe më parë që e kam në konsideratë atë lojtar. Fakt është se para pesë ditësh kam folur edhe me babanë e tij në telefon për këtë gjë, por Avdijaj nuk ka luajtur qoftë edhe një sekondë me Shalken deri tani. Kësisoj, me mbarimin e këtyre miqësoreve, kam vendosur që të shkoj ta takoj dhe të flas edhe me Di Mateon (trajneri i Shalkes), për të kuptuar më mirë se cilat janë arsyet që ai lojtar nuk arrin të gjejë qoftë edhe pak minuta aktivizim tek ajo skuadër”, tha De Biazi.
Sakaq, më herët, në shtator, trajneri italian ka pohuar shprehimisht: “Avdijaj ka vendosur si kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me Shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar se do të kishte qenë më mirë nëse ai do të provonte të luante pak kohë me ekipin që drejton Gega. Në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe, pasi nuk duhet të harrojmë se djaloshi është ende shumë i ri. Unë di që Avdijaj nuk ka luajtur ende asnjë sekondë me Shalken. Gjithsesi, e kam pasur dhe e kam shumë në konsideratë dhe sinqerisht uroj që ai të jetë një talent i tillë edhe pas tre-katër vitesh. Pak rëndësi ka nëse do të luajë me ne apo jo, paçka se unë, ju dhe gjithë shqiptarët besoj se do ta donim ta kishim në skuadër. Ju siguroj se, nëse luan, qoftë edhe pak minuta me Shalken, do ta thërras. Sigurisht, po bëri edhe ndonjë gol do të jetë akoma edhe më mirë. Nëse nuk debuton tani, por më vonë, atëherë do ta thërras në ndeshjet e ardhshme”, tha De Biazi.





