Tiranë, 20 gusht 2014 – Vajza ime kishte frikë se mos ia merrnin fëmijën. Ajo ishte me depresion…" Kështu e nis rrëfimin e tij Adem Dushku, babai i Nexhmijes, 26- vjeçares që afro një javë më parë vrau djalin e saj 4 vjeç dhe më pas tentoi të vrasë edhe veten. E reja ndodhet ende duke u kuruar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ndërsa babai i saj rrëfen për "Gazeta Shqiptare", tmerrin që ka përjetuar teksa në dhomën ngjitur ka gjetur nipin e mitur të masakruar me thikë dhe vajzën e tij të mbuluar nga gjaku. "U lemerisa. Vajzën e dija të vdekur, por nuk e përshkruaj dot se çfarë pashë në ato momente", – pohon Adem Dushku. Ai tregon problemet e vajzës së tij pas divorcit të saj nga bashkëshorti, duke e vënë theksin tek depresioni që ajo po përjetonte kohët e fundit.
Z. Adem, si është vajza juaj tani?
Tani është mirë, është duke u përmirësuar. Unë nuk kam shkuar që ta takoj, pasi kam pasur njerëz për varrimin. Por, kanë qenë njerëz të tjerë dhe më kanë thënë se është mirë.
Pse e mori këtë vendim vajza juaj?
Ka pasur depresion. Unë vetë isha në gjumë, vetëm vajza e di se pse e ka bërë atë veprim. Kur u zgjova unë, çdo gjë kishte mbaruar.
Sa kohë kishte Nexhmija me depresion?
Unë kam qenë në Greqi; katër ditë para ngjarjes isha kthyer. Ka pasur edhe presion nga ish-njerëzit e burrit; ata i thoshin, "jo do të dënojmë, jo do bëjmë këtë, jo do të bëjmë atë", gjithë të këqijat i thoshin.
Sa kohë kishte që ishte ndarë nga bashkëshorti?
Kishte 3 vjet e gjysmë.
Ka pasur frikë se mos i merrnin fëmijën, prandaj e kreu një akt të tillë vajza juaj?
Ime bijë ka pasur frikë përherë. Më thoshte gjithmonë se "do më marrin çunin" dhe unë i kisha thënë që, "djalin nuk ta merr dot njeri, kështu që ti mos u mërzit. Unë nuk do lejoj që të ndodhë gjë, unë do kujdesem për ju". Por, asaj i ishte fiksuar që "do ma marrin fëmijën". "Nuk ta merr njeri, – i thosha, – se ka vendim gjykate për këto punë". Kohët e fundit kur erdha nga Greqia, më tha: "O babi, unë të kam futur në telashe". "Pse – i thashë – më ke futur në telashe?". "Po do të të marrin shtëpinë", – më tha. Aty e kuptova se ime bijë nuk ishte në rregull. Shkova në komisariat në datën 9 të këtij muaji, por nuk e takova dot inspektorin e zonës që kemi ne.
Përse donit ta takonit inspektorin?
Doja ta takoja që t'i thosha se ime bijë nuk është në rregull, kështu që, nesër pasnesër nëse ndodh ndonjë gjë, doja t'i vija në dijeni. Por, fatkeqësisht nuk e takova dot inspektorin.
Po pse kishit frikë se vajza do bënte diçka?
Po kisha frikë, se unë vajzën nuk e pashë në rregull. Dy ditë kisha që kisha ardhur nga Greqia.
Vajza ju tha kur erdhët, që njerëzit e burrit do i merrnin fëmijën?
Vajza më tha që "janë disa vendime gjykate", jo po, "do më dënojnë", – më thoshte. Sepse ata, njerëzit e gruas kishin hapur fjalë se do e dënonin 6 muaj vajzën time.
Përse do e dënonin?
Për faktin që vajza ime nuk kishte çuar fëmijën për ta takuar njerëzit e burrit të saj. Por, ish-bashkëshorti i vajzës nuk i kishte paguar pensionin social që i takonte fëmijës, prej 6000 lekësh të reja në muaj.
Si nisën konfliktet për fëmijën mes vajzës suaj dhe njerëzve të ish-burrit?
Në fillim, kur fëmija ishte 11 muajsh, të dyja palët ramë dakord që fëmijën, meqë ishte i vogël, nuk do e çonim dy herë në muaj, por do e çonim tek njerëzit e burrit çdo të diel, nga ora 08:00 deri në orën 13:00. Kjo punë shkoi disa muaj dhe një ditë ata nuk na e sollën fëmijën në orën një të drekës, siç e kishim lënë në fillim. Shkoi vajza ime e vogël për të marrë fëmijën, sepse unë isha në Greqi atë kohë; bëhet fjalë para 2 vjetësh. Por, vajzës nuk ia kishin dhënë fëmijën dhe gruaja ime mori në telefon kryeplakun e me ndërhyrjen e tij e morëm fëmijën në shtëpi. Pas kësaj kohe u prishën marrëdhëniet mes familjeve tona. Ndërkohë që i ati i fëmijës nuk ishte këtu, as sot nuk është, sepse është në Angli. Sipas vendimit të gjykatës, fëmijën duhej ta shikonte i ati, por ai nuk ishte këtu. Por, unë atë fëmijë e mbaja në pëllëmbë të dorës, as fëmijët e mi nuk i kam rritur ashtu. Madje, edhe një natë më tha: "Gjyshi, dua një lodër pistoletë", ia bleva. Një ditë tjetër më tha: "Gjyshi, dua një makinë", ia bleva.
Po ditën që ka ndodhur ngjarja, ku ishit ju?
Unë në shtëpi kam qenë, por kam qenë në gjumë. Në orën 02:00 ose 02:30 u zgjova nga zhurmat. Por ç'të shikoja? M'u errën sytë. Madje, unë time bijë e dija të vdekur, por komshinjtë e mi e kanë çuar me makinë në spital, sepse dëgjuan britmat e mia. Vajza ia kishte vënë thikën në fyt edhe vetes së vet. Por, nuk flas dot për atë që kam parë, se ka qenë një tronditje e madhe për mua.
/Gazeta Shqiptare/





