Nga BUJAR QESJA
Durrës, 28 qershor 2014 – E shtunë, 28 qershor 2014. Njerëzia sportive ndjek botërorin Brazil 2014. Katër ekipe latino-amerikane në sfidën e eliminimit. Brazil – Kili dhe Kolumbi – Uruguaj. Këtë ditë në pallatin e sportit Ramazan Njala, është zhvilluar Kupa e Shqipërisë në peshëngritje. Po pikërisht në këtë ditë, në vendet e dukshme të afishimit në Durrës dallohet dukshëm njoftimi: 28 qershor 2014. Është 1 vjetori i vdekjes së Dhimitraq Gogës, presim vizita. Njoftimi është dhënë nga familja, duke patur parasysh dy dukuri të fuqishme të Dhimitraq Gogës: e shoqja Eleonora Sykja dhe nipi i tij, djali i vëllait Vlashi Igli Goga. Dreka përkujtimore në lokalin Mediterran që drejtohet nga Cen Tafa, kur i biri Edmondi prej disa vitesh ishte sponsor i ekipit të basketbollit të qytetit. Të ftuar një grusht njerëzish, nga miqtë më të afërt të Dhimitraq Gogës.
Kam patur në një tavolinë Gjon Lulin, basketbollist shok skuadre me Dhimitraqin dhe nga bilbilat më në zë të basketbollit shqiptar. Aktualisht Luli 80-vjeçar drejton ekipet e moshave të basketbollit në klubin shumësportesh Teuta. Pranë kisha mjeshtrin e njohur të notit 84 vjeçarin Koço Afezollin, notarin e 38 medaljeve Mirban Kadiun, kuadrin e njohur të sportit durrsak Anesti Petani, mjeshtrin pikant të basketbollit të Lokomotivës, nxënës i Dhimitraqit Ilia Dollani dhe Haxhi Boshnjakun, tjetër specialist të mirëfilltë të koshit durrsak, koleg i kahershëm i Gogës.
Pranë nesh ishte gjithnjë Igli Goga, nga biznesmenët më të suksesshëm të Durrësit, i cili drejton kompaninë e njohur spedicionere “Diamant”. Ndonëse një bukë përkujtimore, u kalua një 120 minutës aq prekës dhe emocionues, sa që na u duk se ishim mbledhur në të gjallë të Dhimitraq Gogës dhe jo në 1 vjetorin e të fikurit e tij nga jeta.
Mos vallë Dhimitraqi si Krishti u ngjall
Ndonëse temperaturat janë të larta në këtë fund qershori, vëmendja dhe psikologjia jonë e të shkruarit nuk çedon, në krahasimin e Dhimitraqit me Krishtin. Mirë se përkojnë në fenë kristiane në versionin ortodoks, por edhe në një pikë tjetër që gjithkush do të na jepte të drejtë në nëntitullin e përcaktuar më lart. Me 29 qershor të vitit 1925 në Durrës në familjen e Perikli Gogës lindi Dhimitraqi. Dhe në kufirin harkor 27 dhe 28 qershor të vitit 2013, mbylli sytë për gjithnjë Dhimitraq Goga. Koiçidenca vjen shumë e rrallë dhe përkimi është ëndërrmitar. Krishti u ngjall! Pasi vdiq dhe rilindi si shpresë. Mos vallë kemi një rilindje mitike të Dhimitraq Gogës, i cili me 29 qershor është në përvjetorin e 89-të të lindjes. Dhimitraqi u ngjall! Sot ai është në parajsë e nesër pranë nesh në ditëlindjen e tij. Eh mjeshtër sa të deshëm për së gjalli, e sa të duam më shumë kur nuk të kemi më në mesin tonë.
Jeta ka ligjet e saj dhe përjetësia fizike nuk njihet nga kërkush deri sot. Por ti ke krijuar përjetësinë dhe pavdeksinë, pasi je ulur këmbëkryq në memorien e bashkëqytetarëve të tu që quhen durrsakë. Një ndër to është edhe autori i këtyre rradhëve. Në mesditën e 28 qershorit Dhimitraqi mbylli sytë, dhe me 29 qershor ai ringjallet. Në mos jam i gabuar në krahasim! Besoj se zoti më jep të drejtë. Kam në anën time si argument faktin se, brenda më shumë se 24 orësh Dhimitraqi vdiq dhe u ngjall. Kështu do të jesh gjithnjë për ne mjeshtër i gjallë dhe 29 qershori do të na vlejë më shumë se 28-ta. Zoti bëri punën e tij dhe ne do të bëjmë tonën. Kujtesa dhe memoria jonë, do të na vlejë sa të kemi frymë. Mandej të përgjigjet një brez tjetër që vjen pas nesh. Ne duhet t’ia ngacmojmë vlerat, e ato më tej të mos i shuajnë. Kam siguri se kështu do të ndodhë.
Pasi në versionin dardha bie mbi dardhë, Dhimitraq Gogës këtij kolosi të basketbollit durrsak, këtij idhulli dhe embleme, këtij qyetari të barazvlefshëm me mirësinë dhe fisnikërinë më të mirë njerëzore, kurrë nuk mund t’i zbehen pasi më tej ridimensionimi i tyre mbetet të jetë gjithnjë inkurajues.
Propozimi i Igli Gogës
Ne jetën time 40 vjeçare si profesionist i letrave, kam shkruar shumë për Dhimitraq Gogën, sa që një klikim i thjeshtë në internet është tregues i saktë i kësaj që po shprehem. Kur drekon ja kështu në këtë version përkujtimor, gjëja më e parë e mundshme e diskutimeve, është të kujtosh atë që të ka ulur në tavolinën e privilegjit dhe të hedhësh mendime që ia vlejnë të ardhmes. Disa herë më është dashur të lartësoj portretin e shkëlqyer prej qytetari të thekur durrsak të Igli Gogës. Për sukseset e tij në biznes dhe për zemrën e madhe të tij për zhvillimin e biznesit, por edhe të punësimit. Por ai është njëkohësisht edhe amator i flaktë i basketbollit. Familja Goga është e “lashtë” në Durrës. Shumë erudite dhe qytetare. Dhe vazhdon të ketë ende pasardhësit e saj të denjë dhe aktivë.
Vlash Goga arkitekt me nam, por edhe futbollist historik i Teutës së viteve të para pas çlirimit. Dhimitraqi po aq i madh në not, vaterpol, futboll, hendboll, atletikë, boks, basketboll, volejboll e në çdo gjë tjetër në fushën e lojrave. I miri Igli Goga, në formë sugjerimi dhe aspak kritike më tha: “Bujar ty të ecën fjalë për sportet. Bisedo me ato që ti mendon se ia vlen, që të krijojmë tek pallati i sportit ‘Ramazan Njala’ një muze të gjallë për basketbollin. Është sporti i nënës për durrsakët. Jemi rritur me famën e madhe të basketbollit durrsak. Nuk mund të bëhet më mirë sa çka qenë. Të mbledhim foto nga historiku i basketbollit dhe t’ia prezantojmë brezit të ri. Pak kanë mbetur gjallë dhe muzeumi bën që të mos vdesë basketbolli ynë. Të ndihmojmë të gjithë për këtë. Por më parë të krijojmë mjedisin. Të lutem ta bëjmë këtë gjë, në të mirën tonë dhe të brezave që vijnë. Vdekjet natyrale nuk mund t’i pengojmë, por zgjimin e përjeshtshëm historik mund ta bëjmë, sepse kjo është në dorën tone”.
Për rikujtim
Biografi e shkurtër e legjendës së sportit Dhimitraq Goga
Datëlindja: 29 qershor 1925
– 1937 në moshën 12 vjeçare ka nisur të luajë basketboll në shkollën qytetëse të Durrësit, për ta ndërprerë në vitin 1959.
-1959 – 1976 kreu detyrën e trajnerit.
– Ka marrë pjesë në të gjitha kampionatet kombëtare dhe kupat e Republikës nga viti 1945 – 1959 si titullar i ekipeve të Durrësit në sportet volejboll, basketboll, not, vaterpol, hendboll dhe futboll.
– Në vitin 1947 dhe 1955 pjesëtar i Lokomotivës kampione në basketboll.
– Është pjesmarrës në aktivitetet ndërkombëtare si titullar i ekipit kombëtar të Shqipërisë:
1. Në vitin 1946 në Split të Jugosllavisë në kampionatin ballkanik të vaterpolos dhe notit.
2. Në vitin 1946 në kampionatin ballkanik të volejbollit Bukuresht – Rumani.
3. Në vitin 1947 në kampionatin europian të basketbollit në Pragë – Çekosllovaki.
4. Në vitin 1947 në kampionatin ballkanik të volejbollit dhe basketbollit në Tiranë.
5. Në vitin 1957 Festivali i 6-të Rinisë botërore në Moskë.
6. Në vitin 1957 titullar në ekipin kombëtar të basketbollit në takimet ndërkombëtare organizuar në Berlin të Gjrmanisë.
7. Në vitin 1957 Kampionati europian i basketbollit në Sofje të Bullgarisë.
6. Trajner i ekipit të të rinjve të Lokomotivës 11 herë kampione e vendit 1959 – 1970.
7. 1972-1974 Ka ushtruar detyrën e shefit të klubit sportiv në Durrës.
8. Trajner i ekipit kombëtar të basketbollit së bashku me Feti Borovën në turneun e famshëm në Kinë në vitin 1974.
9. 1974 – 1976 trajner profesionist i ekipit të basketbollit Lokomotiva për të rritur.
10. Në vitin 1959 ka ndërprerë aktivitetin si basketbollist për të nsiur atë të trajnerit.
11. Është shpallur në pesë basketbollistët më të mirë të vëndit në vitin 1957. Është shpallur në pesë trajnerët më të mirë në vitin 1965.
Është shpërblyer me:
1.Titullin Mjeshtër i Merituar i Sportit
2. Nderi i Sportit Shqiptar
3. Qytetar Nderi i Durrësit
4. Nderi i Qytetit të Durrësit
5. Basketbollisti i shekullit për Durrësin
6. Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë
– 40 vite nga jeta e tij ai ia fali sportit.
– Zotëronte gjuhën italiane dhe frënge.
Ka botuar librin “Mesazhe zemre”, si dhe “Kujtime dhe mendime nga një veteran i sportit”. Ka përkthyer librin “300 fabula të Ezopit”.
Një sugjerim për forumin e durrsakëve
Është një organizim goxha i mirë dhe shpresëdhënës. Por me sa kam vënë re, e pamjaftueshme evidentimi i “nacionalizimit” durrsak vetëm me thirrje dhe urra nëpërmjet Facebook-ut. Tentohet ndonjë foto, mundësisht tek sheshi Taulantia, xhamia apo shatërvani në qendër të qytetit. Ti forum i nderuar, duhet të njihesh mirë me ato që janë në skalionin e parë të kulturës, sportit, artit, shkencës dhe shoqërisë durrsake. Përkujtimore, apo ngacmime qoftë edhe në përmasa të tilla mediatike janë të vlefshme për publikun e gjërë. Të paktën mundësia e avancimit të elektronikës kompjuterike në atë që quhet internet, lipset shfrytëzuar. Tirana këtu na e merr, pasi i bëhet jehonë e mjaftueshme deri tek bejtet qindravjeçare të kryeqytetit shqiptar të 1920-tës. Përvjetorë të tillë qoftë të largimit nga jeta, apo të lindjeve siç ndodh tani në rastin e Dhimitraq Gogës, Forumi ynë duhet të mos i anashkalojë e jo më t’i harrojë.
Dreka përkujtimore për nder të 1 vjetorit të vdekjes së mjeshtrit të madh të basketbollit durrsak kaloi shpejt, pa u ndjerë. Kujtime, mbresa, e tradita erdhi dhe hapi faqet e saj më të veçanta. Bashkëshortja Nora, mësuesja ime e klasës së parë fillore e plakur natyrisht gëzonte nga prania e miqve, shokëve dhe e të afërmëve në këtë në këtë drekë nostalgjia. Fjala faleminderit ishte më e pakta, që dilte nga zemra dhe shpirti i Norës, që ndonëse 12 muaj më pas nuk e beson ende se Dhimitraqi, nuk është më në krah të saj. Por mungesën e tij do ta zbusin sadopak ja këto miq e shokë të kësaj tryeze. Dhimbja ndahet kështu, ashtu si edhe optimizmi për të kaluar ditë më pak të trishta pa mjeshtrin. Kështu u përkujtua viti i parë pa Dhimitraq Gogën. Megjithatë ai është dhe ndodhet gjithnjë pranë nesh. Kënga e përkryer “Të falem i bukuri Durrës”, seç na u kujtua teksa po ngriheshim, pasi ishte himni i Dhimitraq Gogës.
Dhe Durrësi i tij e nderon dhe e kujton në mënyrën më qytetare, duke iu falur dhe himnizuar punën e tij të jashtëzakonshme. Dhe për ta patur gjithnjë pranë nesh, do të përshëndetej edhe vendosja e emrit të tij në ndonjë objekt sportiv, apo rrugë, apo ku ta dimë çgjë tjetër do të ishte më e mira. Gjithsesi i paharruar kujtimi yt mjeshtër. Ajo që i dhe së gjalli Durrësit tënd, meriton vëmëndjen e të gjithëve. Të paktën ne e bëmë këtë, pikërisht me 28 qershor 2014. Dhe ska pse të mos kujtojmë edhe ditëlindjen tënde.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Nga e majta: Dhimitraq Goga, Ramazan Njala, Spiro Urumi, Napolon Llalla, Omir Vokopola, Naun Llazo, Vehap Berberolli, Jorgji Nushi, Niko Hercek, Kujtim Zharri dhe Syrja Mustafaraj. Është Lokomotiva e Durrësit, kampione kombëtare në basketboll për meshkuj. Viti 1955.
Nga e majta: Aleksandër Gorrea, Spiro Urumi, Naun Llazo,Ramazan Njala. Dhmitraq Goga dhe Krenar Golashi. Kjo foto është fiksuar në shtëpinë e Dhimitraq Gogës, me rastin e 70 vjetorit të lindjes.





